FOTO-HISTORI/ Fan Noli në Gjenevë: 105 vite më parë, Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve

FOTO-HISTORI/ Fan Noli në Gjenevë: 105 vite më parë,
Në foto: Fan Noli gjatë në Gjenevë, më 22 gusht, 1924, ku i'u drejtua Lidhjes së Kombeve dhe kërkoi që ë përcaktojë kufijtë me Korçën, Vërmoshin dhe Shën Naumin

Fan Nolin luajti një rol të rëndësishëm për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Më 17 dhjetor 1920  - Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Kërkesa fillimisht hasi në kundërshtime nga Jugosllavia, Greqia dhe Franca.

Përfundimisht, kërkesa u miratua me 35 vota në favor dhe asnjë kundër, me kusht që Shqipëria të zotohej për të drejtat e pakicave, veçanërisht në fushën e fesë dhe arsimit.

Në emër të shtetit shqiptar, kjo pjese e marrëveshjes u nënshkrua nga Fan Noli, atëherë kryepeshkop i Durrësit, i cili ndodhej në Gjenevë në krye të delegacionit shqiptar.

Noli edhe pse nuk ishte ministër i Jashtëm në atë kohë, u dërgua nga Zogu mbi aftësitë e tij të jashtëzakonshme si orator dhe njohës i gjuhëve të huaja dhe i politikës ndërkombëtare.

Me shaka, Noli tha më vonë se pasi u pranua Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, ai mbeti pa para për t’u kthyer nga Zvicra. Kjo pasi sipas Nolit qeveria e Zogut kishte menduar vetëm për ta larguar nga Shqipëria, dhe pas përfundimit të misionit, për të mos u kthyer më. Patriotët shqiptarë nga të gjithë anët mblodhën paratë dhe mundësuan rikthimin e Nolit në Tiranë.   

Muzeu Historik Kombëtar, faqja zyrtare, në një shënim të publikuar në rrjetet sociale jep detaje rreth kësaj ngjarjeje historike.

Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920) 

Me propozimin e përfaqësuesve të dy shteteve autonome të Perandorisë Britanike të Afrikës së Jugut e të Kanadasë, Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, e pranoi Shqipërinë si anëtare të Lidhjes me të drejta të plota.

Këto zotërime të Britanisë së Madhe, mbështesnin fort idenë e Presidentit Uilson, se kombet e vogla kishin të drejtë të ekzistonin si shtete sovrane.

Ky pranim kishte rëndësi të dyfishtë për vendin.

Së pari, u rikonfirmua njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar, për të cilën ai kishte shumë nevojë në rrethanat e reja të pasluftës. Këto rrethana, kishin të bënin me pretendendimet e Fuqive të Mëdha dhe vendeve fqinje në lidhje me kufijtë e Shqipërisë.

Së dyti, pranimi përbënte në fakt një akt njohjeje kolektive edhe të qeverisë së Tiranës. Pranimi në Lidhjen e Kombeve krijonte gjithashtu mundësi për shqyrtimin nga ky forum ndërkombëtar të  çështjeve të mbetura pezull midis Shqipërisë dhe shteteve fqinje.

Megjithatë, çështja e kufijve të Shqipërisë mbeti e hapur. Fan Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, argumentoi me të drejtë se gjatë Luftës I Botërore, Shqipëria nuk kishte qenë shtet ndërluftues (por asnjëanës), dhe si rrjedhim kufijtë e saj nuk mund të shqyrtoheshin nga Konferenca e Ambasadorëve.

Pavarësisht kësaj, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, me vendimin e tij të 26 qershorit 1922, ia kaloi për diskutim kërkesën e qeverisë shqiptare Konferencës së Ambasadorëve.