VIDEO/ Elbasani shkëlqen në dritat e festave të fundvitit

Dekoret dhe dritat shumëngjyrëshe i kanë dhënë një tjetër pamje qytetit të Elbasanit, i cili është zbukuruar për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Qendra e qytetit me muret e lashta të kalasë dhe portën madhështore të saj është shndërruar në një pikë tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga qendra e qytetit dhe atmosfera festive në qytet.

Dekorimi i qytetit dhe ndezja e dritave ka sjellë gëzim dhe shpresë për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për fëmijët, të cilët i shijojnë më shumë këto festa.

Sheshi kryesor i qytetit është mbushur me lodra për fëmijët, shtëpiza festive që ofrojnë pije e ëmbëlsira për të gjitha moshat, dhe një pemë e madhe e Vitit të Ri që ngrihet si simbol i kësaj feste, duke ftuar këdo të bashkohet në atmosferën e gëzueshme.

Ky fundvit sjell edhe një seri aktivitetesh festive dhe kulturore që zgjasin gjatë gjithë muajit dhjetor.