“Klubi i Filmit”, diskutim për propagandën në kinematografinë shqiptare
“Klubi i Filmit” titullohej aktiviteti i përbashkët mes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Të pranishmit në aktivitet, diskutuan mbi filmin “Vitet e para”, i bazuar në romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Ata trajtuan marrëdhëniet mes artit, propagandës dhe historisë gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Diskutimi e lidhi filmin me kinematografinë dhe teatrin shqiptar të prodhuar në vitet e diktaturës, si mjete të indoktrinimit dhe ndërtimit të një kujtese të deformuar.

“Klubi i Filmit” propozon që filmat e kësaj periudhe të vijojnë të shfaqen për publikun, por të shoqëruar me komente dhe analiza kritike, me qëllim që të sqarohet e vërteta historike e ngjarjeve dhe e personazheve, përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive reale, duke ndihmuar veçanërisht brezat e rinj të dallojnë propagandën nga realiteti.
Ky takim është pjesë e cikleve të klubit të filmit “Mësojmë nga e kaluara”, ku në fokus janë temat e luftës së klasave, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, dënimi i inxhinierëve të Maliqit nga regjimi, si edhe simbolika filmike që pasqyron realitetin e një epoke të errët të historisë sonë.

