Shqipëria, vendi pritës i sesionit XX të takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale

Delegacioni shqiptar i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit i cili mori pjesë në takimin ministerial të Këshillit të Ministrave të Kulturës së Evropës Juglindore (CoMoCoSEE), zhvilloi dy takime të rëndësishme ndërkombëtare në kuadër të forcimit të bashkëpunimit për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ministri Gonxhja bëri me dije se u zhvillua një takim me drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNESCO-s për Shkencë dhe Kulturë në Europë, Magdalena Landry, si dhe ekipin e kulturës së UNESCO-s, si një moment vlerësimi për bashkëpunimin e deritanishëm me MTKS-në, rezultatet konkrete të arritura dhe vizionin mbi projektet e reja për vitin 2026.

Gjatë këtij takimi u konfirmua një nismë me rëndësi të veçantë: Shqipëria do të jetë vendi pritës i Sesionit të 20-të të Takimit për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, duke forcuar rolin e saj aktiv dhe të besueshëm në nivel ndërkombëtar.

Gjithashtu, u zhvillua një takim i rëndësishëm me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, i fokusuar në Liqenin e Ohrit, një pasuri e përbashkët natyrore dhe kulturore, pjesë e Trashëgimisë Botërore UNESCO.

Diskutimet u përqendruan në bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, koordinimin institucional dhe ndërtimin e një qasjeje të qëndrueshme, në përputhje me standardet e UNESCO-s, për të garantuar mbrojtjen afatgjatë të këtij ekosistemi dhe peizazhi unik për brezat që vijnë.

Në këtë ministerial, delegacioni shqiptar kryesohej nga zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa.