Ekspozita “Olbania”, neorealizmi i YouTube-it dhe teknologjitë deepfake
Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, u çel ekspozita “Olbania”.
Kjo është një ekspozitë kolektive e grupit të artistëve italianë “Alterazioni Video”, i cili eksploron territore hibride të periudhës së “pas së vërtetës”, neorealizmit të YouTube-it dhe teknologjive të deepfake-it.
“Olbania” vjen e kuruar nga Sara Dolfi Agostini. Projekti u konceptua në vitin 2009, gjatë pjesëmarrjes së tyre në Bienalen e 3-të të Tiranës, dhe merr titullin nga një keqshkrim i përhapur në forumet dhe chatroom-et e fillimviteve 2000, një etiketë që u shndërrua në territor fiktiv online, i ngarkuar me simbole dhe stereotipe të mitologjive ballkanike.

Gjatë një “gjuetie në internet”, në fazën kur Shqipëria kaloi mediatikisht nga televizioni italian në internetin global, “Alterazioni Video”, ndërtuan një arkiv vizual prej mbi 600 polaroidesh.
Ekspozita shfaqet si një bashkëpunim aksidental mes përdoruesve online dhe artistëve, një kapsulë kohore që dokumenton qarkullimin e një versioni alternativ të Shqipërisë dhe, pa dashje, rishpikjen e saj në hapësirën digjitale.
Ekspozita “Olbania” u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

