VIDEO/ Lista e pazarit të Michelangelos: Si ushqehej gjeniu universal i artit, skulpturës dhe arkitekturës botërore?

Përfytyroni këtë skenë; gjeniu që skulptoi “Davidin”, krijoi “Pietà”-n, pikturoi tavanin e Kapelës Sistine, modeloi “Mosin”, ndërtoi Kupolën e Shën Pjetrit e realizoi vepra nga më të bukurat në botë t’ju tregonte sot çfarë blinte për darkë.

Bukë. Harengë (peshk). Verë. Alici (peshk i vogël i kripur). Spinaq. Tortelini (makarona me të mbushura). Supë me finok.

Një thjeshtësi kaq moderne dhe e kuruar dhe sot në epokën e dietave e ushqimeve të shëndetshme.

Një listë pazari ku pranë çdo fjale gjen të pikturuar skica të produkteve me kujdesin e një artisti.

E si ushqehej gjeniu që jetoi 89 vjet?

Kjo pyetje intriguese hap udhëtimin në Firenze me rastin e 550-vjetorit të lindjes së Michelangelo Buonarroti, artistit universal të artit të rilindjes.

Vetrina Toscana, projekti i Rajonit të Toskanës që lidh kulturën, gastronominë dhe territorin, na udhëheq përmes një historie ku ushqimi i shekullit XVI bëhet simboli identifikues.

Në muzeun Casa Buonarroti të Firenzes, ish prona e familjes së Buonarroti e ku ruhet historia familjare, si dhe skica, vepra e dorëshkrime origjinale të artistit, gjendet dhe lista e pazarit që Michelangelo shkroi më 18 mars 1518. Michelangelo, gjeniu i Rilindjes, na ka lënë një gjurmë të pashlyeshme të zakoneve të tij ushqimore: një listë të vërtetë pazari.

Michelangelo liston produktet për shërbëtorin e tij, shpesh me skica ilustrative, pasi dyshohet që shërbëtori nuk dinte të lexonte.

LISTA PËRFSHIN:

VIDEO/ Lista e pazarit të Michelangelos: Si ushqehej gjeniu universal i

Pani dua (dy bukë)

Un bochal di vino (një karafë verë)

Un aringa (një harengë)

Tortegli (tortelli)

Una salama (një sallatë)

Quatro pani (katër bukë)

Un bochal di tondo (një karafë verë e plotë)

Un quartuçio di bruscho (një gjysmë fuçi verë të thatë)

Un piatello di spinaci (një pjatë spinaq)

Quatro alice (katër alici)

Sei pani (gjashtë bukë)

Dua minestre di finoçhio (dy supa me finok)

Një listë që sot duket modeste, por në shekullin XVI ishte tregues i pasurisë, pasi të ardhurat e Michelangelos vinin direkt nga Papa Leone X, i cili e kishte angazhuar për realizimin e fasadës së Bazilikës së San Lorenzos.

Lista tregon sobrieti dhe përmbajtjen e Michelangelos: asnjë mish, për shkak të Kreshmës, dhe një konsum i matur i alkoolit. Historikisht, këto zakone i ndihmuan të jetonte deri në 89 vjet, pothuajse dyfish i pritshmërisë së jetës në atë kohë.

Vetrina Toskana

Kodrat me vreshta, ullishtat e gjeometrizuar, qytezat mesjetare dhe kuzhina fiorentinase nuk janë thjesht dekor.

Janë i njëjti frymëzim që formoi Danten, Gioton, Brunelleschin, Leonardon, Michelangelon e shumë artistë të tjerë fiorentinë.

Daniela Mugnai për “Vetrina Toscana”, thotë se kanë realizuar një menu special në bashkëpunim me “Antico Fattore”, frymëzuar nga ky dokument historik i Michelangelo-s, lista e pazarit shkruar nga ai vetë për shërbëtorin e tij. Është një listë e vecantë pa mish, pasi kryhet në prag të Kreshmës”.

“Vetrina Toscana, thotë ajo, është një projekt publik i rajonit Toscana që synon të promovojë turizmin enogastronomik të Toskanës, rëndësinë që ka për territorin ky sektor, për të rrëfyes dhe vende jo të njohur. Në këtë rrjet janë më shumë se 2000 biznese e ku secili mund të bëhet pjesë gratis e turisti mund të shërbehet nga një guidë që rrëfen produktet tipike të zonës.”

Antico Fattore, një simbol historik i artit e kulturës toskane.

Themeluar në 1865, i njëjti vit kur Firenze u shpall kryeqyteti i Italisë, Restoranti Trattoria Antico Fattore është një pikë takimi mes arti, kulturës dhe tryezës së mirë.

Ky vendtakimi historik ka mirëpritur piktorë, shkrimtarë dhe dashamirës të traditës enogastronomike toskane. Që nga shekulli XIX, këtu janë ulur e ngrënë: Giorgio De Chirico, Montale dhe Quasimodo Morandi, Carrà, Ottone Rosai, Ardengo Soffici, Carena, Saçhetti Peyron, Baçhelli, Innocent, Romiti e dhjetëra të tjerë.

Në tavolinat e tij sot shërbehet Menu-ja e Michelangelos, bazuar në këtë listë ushqimesh.

Shefi i këtij restoranti Marco del Re rrëfen se si ka realizuar pjatën kryesore të kësaj menuje “supa me finoki”, kremoze dhe e shijshme, po aq sa dhe e shëndetshme.

Giacomo Lucia së bashku me të motrën, cojnë përpara punën e prindërve të tyre që prej shumë janë pronarë të Antico Fattore e ku arti dhe gastronomia bashkëjetojnë natyrshëm. Prej vitit 1986 të mërkurat e Antico Fattore i kushtohen jetës kulturore të qytetit mes poetësh, piktorësh, skulptorë, muzikantë dhe kritikë. Në këtë frymë, lindi edhe “Premio Antico Fattore”, çmim letrar dhe artistik i lidhur ngushtë me artin, shkencën dhe verërat toskane që vazhdon të nderojë trashëgiminë kulturore.

Michelangelo – Prodhues vere dhe Antico Podere Casanova

Michelangelo nuk ishte vetëm artist; ai ishte prodhues vere dhe pronar i Antico Podere Casanova në Castellina in Chianti, pjesë e zonës së prodhimit të Chianti Classico DOCG.

VIDEO/ Lista e pazarit të Michelangelos: Si ushqehej gjeniu universal i

Sipas dokumenteve, 18 qershor 1549, Michelangelo dhe nipi Leonardo blenë këtë tokë dhe të gjithë pasurinë e Tenuta La Torre për 2.300 fiorini. Ai i shkruante nipit më 25 prill:

“Më pëlqen më shumë të blej tokë sesa të mbaj para; dhe nëse toka është e mirë, më duket e udhës ta marr, sidomos nëse është e fortë dhe e qëndrueshme.”

Që nga fillimi i shekullit XVI, tokat e Casanova identifikoheshin si punuese, të mbjella me rrush, ullinj, pemë frutore, dhe verërat e para të kuqe të Casanova-s, të dërguara në Casa Buonarroti në Firenze, datojnë nga 1551, vlerësuar me 50 soldi për fuçi.

Këto vreshta mbetën në pronësi të Buonarroti deri në 1863, më pas kaluan tek familja Buçiarelli në 1926-

Menu-ja Michelangelo

Peposo, ushqimi që ushqeu muratorët e kupolës së Brunelleschi-t

Menuja përfshin peposo-n, gatim tradicional i furrtarëve të Imprunetës. Mishi zihej ngadalë me shumë piper dhe verë të kuqe për të zbutur copat e forta dhe për të pasuruar aromën.

Lardo di Colonnata, Mermeri, mishi dhe identiteti toskan

Lardo di Colonnata IGP, i pjekur në konka mermeri të nxjerra nga malet ku Michelangelo mori blloqet e ikonike për “Davidin”, tregon se materiali dhe gastronomia janë pjesë e një trashëgimie të përbashkët.

Në Firenze, arti është jetë dhe shijohet.

Lista e thjeshtë e pazarit të Michelangelos tregon se gjenitë ushqehen me thjeshtësi, territor dhe traditë.

Lista e pazarit e Michelangelos bashkoi artin me gastronominë në një eksperiencë unike ku rrugët e Firences, tryezat e Antico Fattore-s, vreshtat e Chianti-t dhe shijet kapërcyen shekujt.

Toskana e Michelangelos mund të vizitohet me sy por mbi të gjitha, mund të shijohet.