Rrugëtimi i Isa Boletinit drejt Vlorës, stërnipi i tij rrëfen vështirësitë e heroit kombëtar
Në 28 Nëntor, Kulla e Isa Boletinit në Boletin zgjohet më herët se zakonisht. Flamujt valëviten mbi portën e gurit, ndërsa vizitorët nisen të mbërrijnë një nga një, për të nderuar njeriun që lidhet ngushtë me fjalinë e tij: “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria.”
Brenda, drita që hyn nga dritaret e ngushta bie mbi fotografitë e zeza e të bardha. Në murin e djathtë qëndron portreti i Isa Boletinit, me vështrimin që të përshkon heshtur. Ciceroni u rrëfen nxënësve për përpjekjet e tij, ndërsa fjalët gërshetohen me dridhjen e zërit që zakonisht i mungon ligjërimit të përditshëm. Kjo ditë, duket qartë, e bën secilin më të kujdesshëm, më të butë, më të vetëdijshëm për atë çfarë po prek.
Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit, teksa ecën mes mureve të gurta të kompleksit, kujton rrënjët e familjes së tij.
“Në fakt, Boletini është shumë i lashtë, i vjetër. Realisht, familjarët e mi, pasardhësit e mi, kanë ardhur nga fshati Isniq, është komuna e Deçanit. Me shumë arsye kanë ardhur këtu në Boletin. Për herë, si familje e madhe që kemi qenë dhe nuk kemi pranuar asnjë veprim kundër kombit tonë, dhe kanë ardhur këtu. Kur kanë ardhur këtu ka qenë vend i pabanuar, por ka qenë jashtëzakonisht i pasur, për arsye se përballë Boletinit gjendet edhe Majdani, pra gurëpunishtja e familjes ku 5 gjeneratat kanë punuar me këtë gur“, ka thënë ai për KosovaPress.
Ai tregon se familja Boletini ka pasur një zhvillim të madh ndër breza, por ishte lindja e Isa Boletinit ajo që shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë kombëtare.
“Jeta e familjarëve, jeta e familjes Boletini ka qenë me zhvillim të madh, mirëpo me lindjen e Isa Boletinit, pastaj periudha e tij kohore e ka bërë ndryshime të mëdha në historinë tonë kombëtare, sepse Isa ka lindur në kohën e epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në epokën e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Realisht, jeta e tij qysh në moshën 15-vjeçare pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 17 vjet në betejën e Silvovës dhe kështu nga ajo periudhë kohore deri në vrasjen e tij më 23 janar 1916, janë plotësisht 35 vite. Në fakt, koha e tij ka pasur disa reforma, sepse dihet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një nga pikat kryesore që u dërgua telegrami sulltanit apo Portës së Lartë, e cila u refuzua fuqimisht, ishte hapja e shkollave shqipe“, është shprehur ai.
Në Kullat e Boletinëve, ndërsa shëtit mes mureve të gurta që ruajnë historinë e familjes së tij, trashëgimtari i Isa Boletinit tregon për një nga arritjet më të mëdha të heroit të tyre: hapjen e shkollës së parë shqipe në Kosovë.
“Isa e hapi shkollën e parë shqipe këtu në Kosovë, me ministrin e Arsimit, ku më ka interesuar më së shumti hapja e shkollave shqipe në territorin e Kosovës dhe del që kisha shqiptare katolike në Stubull të Epërme e kishin hapur flamurtarët në vitin 1897, dmth shkollën vetëm shkrim-lexim, jo zyrtare, por edhe Isa këtu e hapi shkollën 1899 pas dy viteve dhe ajo nuk ishte zyrtare po ishte private ku e solli Hoxhën dhe përveç fëmijëve të tij dhe nipave të tij i mësoi edhe fëmijët e zonave përreth. Por jo vetëm, sepse 1908 ai bashkë me Hasan Prishtinën do ta hapin edhe një shkollë në Koshtovë të Mitrovicës, ku mësues i parë i saj do të jetë Isuf Rexha, dhe dihet vizioni i Isës ishte se ai nuk ishte vetëm një patriot por ishte edhe një arsimdashës, fëmijët, nipat i shkolloi në shkollat më të mira të Evropës të asaj kohe me fondin e vet, Stamboll, Romë dhe Vienë“, potencoi Gazmend Boletini.
Veprimtaria e Isa Boletinit filloi në 1901, me parandalimin e armatosjes së fshehtë të serbëve. Në 1903 pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Pas kthimit në 1906, organizoi veprimtaritë në Kosovë.
“Kontributi i Isës, pra, fillon në vitin 1901, ç’armatosjen e serbëve që u armatoseshin fshehurazi në vitin 1901 këtu në territorin e Kosovës, pastaj largimin, dëbimin dhe parandalimin e hapjes së konsullatës Ruse në Mitrovicë në fillim të vitit 1903 dhe pastaj dëbimi i Isës 1902-1906, në Stamboll, sepse ai e kundërshtoi. Pas largimit të Isa Boletinit, vritet edhe konsulli rus Gregory në Mitrovicë, dhe kështu kthimi i Isës në Mitrovicë në vitin 1906. Pastaj filloi organizimi i tij nëpër territoret e Kosovës. 1908 ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Ferizajit dhe 1910 këtu fillon ajo epoka më e rëndësishme e jetës së tij, sepse ai e bën pajtimin e gjaqeve tek Verrat e Llukës më 4 prill 1910. Me 10 prill, mbas gjashtë ditësh, udhëheq edhe betejën, një nga betejat më të përgjakshme, e cila quhet Beteja e Caralevës, Isa Boletini në Caralevë e Idriz Seferi në Kaqanik“, theksoi ai.
Gazmend Boletini theksoi se, pas arrestimit të krerëve shqiptarë nga Serbia, Isa Boletini mori rrugën drejt Vlorës me njerëzit e tij. Ata udhëtuan për tre ditë në shi dhe borë, duke ndaluar tek miqtë e tyre, dhe më 28 nëntor nisën nga Fieri për të ngritur flamurin e lirisë.
“Ai dhe njerëzit e tij e kishin marrë rrugëtimin e tij drejt Vlorës, do të thotë konakun e parë, që tregon një nip i Isait, e kemi bërë tek Riz Zymeri në fshatin Xhonaj, tek një mik i Isa Boletinit, të dytit tek Selmi Aga në Bicaj, të tretin te Sheh Hasani dhe të katërtin tek miku i tij i armëve Elez Isufi në Dibër, do të thotë tre ditë rresht kanë bërë udhëtim të pandalshëm dhe në kohë shumë të rënda, me shi dhe borë, dhe me datën 28 nëntor herët në mëngjes thotë se jemi nisur nga Fieri drejt Vlorës”, tha Gazmend Boletini.
Flamuri qëndron i vendosur në një dollap, dhe afër tij shtrihet xhamadani i Isa Boletinit, i punuar me duart e nënës Ajshe. Gazmend Boletini rrëfen se gjatë regjimit komunist, kur familja u persekutua dhe u dëbua, këto relike historike u dorëzuan në muze, larg shtëpisë së tyre.
Pas luftës së Kosovës, ato u rikthyen, duke u vendosur sërish aty ku i takonte, si dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë, krenarisë dhe trashëgimisë së pashlyeshme të familjes Boletini.
“Pra, flamuri është nga viti 1910 edhe sot e kemi këtu, kurse afër tjetrit e kemi xhamadanin e Isa Boletinit, xhamadan i cili është punuar nga nana Ajshe, nana e Isa Boletinit, me duart e saj, e cila na vjen nga Zhabari i Mitrovicës. Xhamadani i ka dikun rreth 115 vite, dhe në kohën e regjimit komunist, kur familja jonë u maltretonte, burgoste dhe u dëbua nga vendi jonë, atëherë gratë e shtëpisë e kanë dorëzuar në vitet e 90-ta në muzeun e Mitrovicës. Deri në vitin 99-të, pas luftës së Kosovës, ne kemi arritur me marrë me babën prapë, sepse forcat paramilitare serbe, kur kanë hyrë në muze, aty ka pasur veshje kombëtare të boshnjakëve, turqve e kështu me radhë, dhe kjo ka qenë e përmbysur. Ne e kemi marrë e kemi prurë prapë këtu ku e ka vendin e tij“, tregoi Boletini
Kulla e Boletinit pret vizitorë nga të gjitha trevat dhe jashtë vendit.
“Boletini është i hapur çdo ditë, tash ka kaluar në atraksion; me një fjalë, është një interesim jashtëzakonisht i madh, jo vetëm në ditët e festave në muajin Nëntor, por i kemi edhe në përditshmëri vizitat e shumta që na vijnë, jo vetëm nxënësit, por na vijnë edhe nga niveli akademik, institucione të ndryshme. Kemi vizitorë të shumtë nga të gjitha trevat, por edhe nga jashtë vendit. Na vijnë shumë, por për fund unë doja që të thosha që me datën 30 nëntor, në Neë York, një nga rrugët e Neë Yorkut do të mbajë emrin e Isa Boletinit. Në pamundësi që të jem në këtë ceremoni, unë kam zgjedhur që të jem tek kjo kullë dhe të pres mysafirët e shumtë që na vijnë”, ka përfunduar Boletini.
Kulla e Isa Boletinit nuk është thjesht një monument; ajo është një dritare drejt historisë dhe krenarisë shqiptare. Vizitorët që vijnë çdo ditë, nga çdo cep i vendit dhe i botës, ndjejnë këtë trashëgimi, duke e bërë historinë të gjallë dhe frymëzuese për brezat e rinj. /Kosovapress/


