FOTO+VIDEO/ Dyndje vizitorësh në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë po vizitohet sot nga qytetarë të shumtë me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Kozeta Halili tha sot për ATSH-në se “në muze sot ka pasur fluks të lartë vizitorësh, jo vetëm të qytetarëve vlonjatë, por edhe nga qytete të tjera të vendit.

Ndërsa vihet re një numër i lartë i bashkatdhetarëve tanë nga Kosova, Mitrovica, Mali i Zi, të cilët ndodhen sot në Vlorë për të festuar dhe për t’u njohur  më shumë me historinë e  shtetit shqiptar dhe ngritjen e flamurit në Vlorë”.

Në sheshin para Muzeut u zhvillua edhe ceremonia simbolike e ngritjes së Flamurit nga nxënësit e shkollave të qytetit të Vlorës, që ngjalli kureshtjen e vizitorëve.

FOTO+VIDEO/ Dyndje vizitorësh në Muzeun Kombëtar të

Hallili tha se “vizita ditën e sotme është pa pagesë, ndërkohë që qytetarët mund ta vizitojnë atë nga ora 09:00-17:00″.

Por, edhe gjatë këtij viti Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka shënuar një rritje të vizitorëve me 98%.

“Nga data 1-26 nëntor muzeun e kanë vizituar 1056 vizitorë, ndërkohë që nga janari deri më sot është vizituar nga rreth 17 000 vizitorë, ku 60% kanë qenë të huaj dhe 40% shqiptarë”, theksoi Halili duke shtuar se kemi 98.8% më shumë se viti 2024.

Sipas saj, rritja e numrit të vizitorëve është edhe falë promovimit që i është bërë muzeut nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që janë zhvilluar në muze.

Për historinë e shtetit shqiptar interes të lartë ka edhe nga vizitorët e huaj.

FOTO+VIDEO/ Dyndje vizitorësh në Muzeun Kombëtar të

“Vizitorët e huaj janë kryesisht nga Danimarka, Mbretëria e Bashkuar, Hungaria, Italia etj. Interes të lartë shfaqin edhe shqiptarët që jetojnë në trevat e Kosovës, Maqedonisë, Preshevës, studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme pasi edhe kanë dhe ata orët mësimore, edukimin nëpërmjet kulturës, për të mësuar më shumë për traditat, vendin dhe kulturën”, tha Halili.

FOTO+VIDEO/ Dyndje vizitorësh në Muzeun Kombëtar të

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë.

Nga viti 1936 deri në vitin 1939 godina ku ndodhet Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka shërbyer si muze historik. Pasi kaluan 50 vjet nga vendimi i shpalljes së Pavarësisë, godina u shpall Muze Kombëtar

Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë janë hedhur themelet e shtetit shqiptar. Për 6 muaj aty u vendos dhe funksionoi qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së Pavarësisë.


Në muze janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe./ ATSH