Altin Bojni: Besimin e qytetarëve do ta përkthejmë në punë për Matin
Kandidati fitues i Partisë Socialiste për bashkinë e Matit, Altin Bojni u shpreh i emocionuar pas fitores së arritur të dielën.
Bojni garantoi angazhim maksimal për të vijuar projektet madhore për zhvillimin e qytetit për një të ardhme sa më të mirë.
“Një emocion i veçantë, por sot dua të falënderoj të gjithë banorët e bashkisë Mat për besimin dhe mbështetjen e tyre që na kanë dhënë”, tha Bojni.
“E gjithë kjo mbështetje që na kanë dhënë, është një përgjegjësi e madhe që duhet ta përkthejmë në shumë punë për gjithë komunitetin tonë, që punët e mira të mos ndalen dhe e ardhmja të jetë më e mirë dhe me këtë ritëm do të vazhdojmë përpara që bashkia jonë të jetë sa më mirë”, tha Bojni.
Ai garantoi se do të vazhdojë me ritëm punën për të ndërtuar një të ardhme edhe më të mirë për bashkëqytetarët e tij.
Bojni mori 66,54% të votave, ose 7425 vota, duke lënë pas kandidatin e pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike, Eduart Brahilika, me 28,54% ose 3184 vota, si dhe kandidaten e pavarur Suzana Pasha, e cila mori 4,92% ose 549 vota.

