Qose takim të veçantë me komunitetet fetare: Bashkëpunim për riintegrimin e të burgosurve

Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose mblodhi në një takim të veçantë përfaqësuesit e komuniteteve fetare për të diskutuar mbi rolin e fesë në sistemin penitenciar.

Në këtë tryezë bashkëpunimi ishin të pranishëm Tauland Bica nga Komuniteti Mysliman, At Nikolla Kodheli nga Kisha Ortodokse Autoqefale, Dom Kreshnik Ivan, kapelan i Burgjeve Tiranë-Durrës, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Ergjest Biti nga Vëllazëria Ungjillore.

Kreu i Burgjeve bëri të ditur se gjatë takimi të gjithë njëzëri theksuan se feja ka një ndikim të madh në burgje, duke ndihmuar në rehabilitimin dhe riintegrimin e të burgosurve dhe duke sjellë qetësi shpirtërore në jetën e tyre.

Qose vlerësoi bashkëpunimin dhe përkushtimin e të gjithë përfaqësuesve, duke theksuar se trupi mund të jetë i burgosur, por shpirti mbetet i lirë, dhe se bashkëpunimi mes komuniteteve është një urë që lidh dhe forcon shpirtin.