Loja në Kushtetuese, atje ku asgjë nuk është siç duket
Nisi me një vendim 2-1 për futjen për shqyrtim të ankimimit të Veliajt. Nga grupi prej 3 anëtarësh që shqyrtonte pranimin ose jo të ankimimit, vetëm njëri ishte pro. 2 të tjerët ishin kundra. Sipas tyre lënda nuk duhej të trajtohej nga Gjykata Kushtetuese.
Por vendimi në treshe duhet me unanimitet, ndryshe i kalon mbledhjes së gjyqtarëve.
Dhe vendimi nga mbledhja u mor 8-0, në favor që çështja e ankimimit të Veliajt kundra vendimit të shkarkimit nga Këshilli i Ministrave të trajtohej nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi synonte të fshihte qëndrimin e shumicës, por sidomos të mos t'i identifikonte ata me emra.
Rrugës do shikonin e do bënin!
Nga paradhomat e Ramës hapeshin infot konfidenciale se ankimimi i Veliajt bëhej që ai ta përdorte në gjyqin e Strasburgut. Pra po i bëhej favor atij. Bile edhe shkarkimi bëhej sepse ashtu i vinte më për mbarë me Strasburgun. Më mirë i shkarkuar!
Erion Veliajt në fakt mund t’i leverdiste që në Strasburg të mbërrinte edhe me koston e një shkarkimi për shkak të një mase sigurie joproporcionale. Kjo do ishte pasojë direkte dhe e provueshme që për shkak të burgosjes joproporciomale, kishte ardhur si pasojë shkarkimi. Sepse ligji nuk sheh motivet e mungesës, thjesht e konstaton atë.
Linja e mbrojtjes së Veliajt në Gjykatën Kushtetuese fliste vetëm për burgosjen. Aq sa dukej sikur Veliaj po kërkonte të dilte nga burgu e jo që po kontestonte një vendim shkarkimi për shkak të mungesës. Avokatët e Veliajt po kërkonin shkarkimin për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve, që nuk e kishin.
Qeveria i kishte dhënë vetëm shkarkimin për mungesë pavarësisht shkaqeve.
Veliajt i interesonte shkarkimi!
Veliaj ka në pritje në Gjykatën e Lartë shqyrtimin e ankimimit për masën e arrestit. Në ankimimin e tij, pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, avokatët kanë argumentuar me një shtesë së Veliaj nuk mund të prishë më provat, pasi ai tashmë është i shkarkuar nga detyra si kryebashkiak. Shkarkimi pra e shpëtonte Veliajn edhe nga masa e arrestit në burg. Nga shtëpia nuk prishte dot provat që janë në zyrë.
Pas një seance prej 7 orësh të transmetuar live me kërkesën e Veliajt, Gjykata Kushtetuese u mblodh shpejt.
Nëse nuk do koincidonte fundjava, mund të thuhet se gjykata u mblodh për vendimmarrje, të nesërmen e seancës dëgjimore.
Vendimi ishte 5 me 3, kundër shkarkimit të Veliajt.
Si fillim duke e bërë kështu shkarkimin të papërdorshëm në Strasburg. Por duke mos hequr as pengesën për ndryshimin e masës së sigurisë.
Veliaj nga seanca në Gjykatën Kushtetuese donte propogandën dhe krijimin e një profili si i viktimizuar nga politika dhe sistemi i drejtësisë.
Mori një vendim “fitoreje”, të cilin nga sot nuk e përdor dot më askund.
Ai vendim nuk i shërben në Gjykatën e Lartë ku pas pak ditësh do shqyrtohet heqja ose ndryshimi i masës së sigurisë.
Ai vendim nuk i shërben më as për Strasburg, pasi sistemi funksionoi. Sistemi nuk lejoi që ai të shkarkohej për shkak të burgosjes. Pati debat, por nuk pati shkarkim!
Kurse 5 anëtarët që votuan praktikisht për ta lënë në burg Veliajn janë emra të lidhur me Edi Ramën përveç njërës që ka dëgjuar burrin se si duhet të votojë.
Marjana Semini, Fiona Papajorgji, Ilir Toska janë lidhje të shkurtra të Sokol Sadushit dhe të të majtës së Edi Ramës. Sandër Beci është lidhje e drejtpërdrejtë e Taulant Ballës.
Kurse vota e Marsida Xhaferllarit u deklarua paraprakisht nga Alibeaj.
Treshja që votoi kundra, duket të ketë qenë më e prirur kah lënia në fuqi e shkarkimit, duke i bërë favorin Veliajt.
Në gjithë këtë histori ka një të përbashkët me histori të tjera. Dhe ajo është përdorimi pa kriter i votës në organe kolegjiale nga mazhoranca e majtë. Nga një mazhorancë, të cilës i mjafton qëllimi për të shfrytëzuar dhe zhgarravitur çdo burim njerëzor si mjet për arritjen e qëllimit. Shkatërrimi i institucioneve, shpërfytyrimi i tyre, delegjitimimi i vendimmarrjes, zhgarravitja pa mëshirë e të përzgjedhurve nga vetë mazhoranca, është pasoja.
Sigurisht këtij rrënimi nuk do i shpëtonte dot Gjykata Kushtetuese.
Ndaj dje përveç ca kokëboshëve, që të ndarë disa tek dritaret e burgut të Veliajt e disa nëpër studio tekevizive, plasnin fishekzjarrë për “fitoren”, askush tjetër nuk gëzoi. As Veliaj!/ Marrë nga CNA


