Shehaj: Kushtetuesja në mbrojtje të korrupsionit të Veliajt, la në detyrë një kryetar të arrestuar
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj akuzoi sot Gjykatën Kushtetuese se veproi në mbrojtje të korrupsionit, pas vendimit që lejon kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të vazhdojë detyrën edhe pse ndodhet në burg i akuzuar për korrupsion.
“Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese na thotë që një kryetar bashkie, i cili është i arrestuar dhe në burg për korrupsion, duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të detyrës”, u shpreh Shehaj.
Sipas Shehajt, kryeministri Edi Rama kërkon të krijojë një precedent ku akuzat apo arrestimet për korrupsion nuk përbëjnë arsye për largim nga posti.
“Por, me sa duket, kjo i intereson Edi Ramës dhe, nëse Edi Rama do që mos të bëhen zgjedhjet në Tiranë, Gjykata Kushtetuese merr vendim në favor të Edi Ramës”, tha Shehaj.
Kreu i Partisë Mundësia paralajmëron se ky standard, që sot mbron Erion Veliajn e Belinda Ballukun, nesër mund të përdoret nga vetë Edi Rama për t’u mbrojtur nga drejtësia.
“Ka dhe një çështje tjetër shumë të rëndësishme. Edi Rama ka nevojë t’i thotë të gjithëve që të jesh i akuzuar për korrupsion dhe në burg me akuzë për korrupsion, sipas Edi Ramës, nuk është arsye për të dhënë dorëheqje dhe për t’u larguar. Kjo vlen për Erjon Veliajn sot, por vlen gjithashtu për Ballukun dhe mund të vlejë edhe për Edi Ramën nesër, kur Edi Rama vetë të jetë në hetim për korrupsion”, theksoi Shehaj.
Gjykata Kushtetuese doli sot me një vendim për çështjen e Erion Veliajt, duke i dhënë të drejtë të vijojë detyrën si kryetar i bashkisë së Tiranës.
Togat e zeza në Gjykatën Kushtetuese kanë vendosur 5 me 3 në favor të tij. Në këtë mënyrë rrëzohet vendimi i qeverisë që e shkarkonte nga posti pas propozimit që i kishte bërë këshilli bashkiak i Tiranës.
Dhënia e këtij vendimi do të thotë po ashtu se në kryeqytet nuk do të zhvillohen zgjedhje, duke e bërë edhe dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj të pavlefshëm.
