Baçi: Begaj shkeli Kushtetutën me dekretin e tij, Veliaj duhet të ishte në burg me 100 akuza më të rënda
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar të drejtë dhe të pritshëm, ndërsa shtoi se ky vendim i hap rrugën rikthimit të Erion Veliajt në detyrën e kryebashkiakut të Tiranës.
" Një vendim i tillë Erion Veliajn e rikthen në karrigen e kryetarit. I ngelet dhe një gjë tjetër për ta bërë Gjyqësori tashmë, që ta nxjerr nga burgu dhe ashtu si kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës që po hetohet i lirë në detyrë, ta kthej dhe Erion Veliajn aty në detyrë dhe të vazhdojë punën.
Unë mendoj se Gjykata Kushtetuese mban një vendim të drejtë, të pritshëm. Vendimi ose dekreti i Presidentit Begaj ishte i lexueshëm, një vendim, dekret i nxjerr me urdhër të Ramës.
Unë e kam thënë që Begaj është një kukull, i pakrahasueshëm me të gjitha institucionet e tjera nën urdhërat e Ramës. Të tjerët bëjnë ndoshta dhe lojën për tu dukur pak si të pavarur për mënyrën sesi veprojnë dhe bëjnë atë që i'u thotë Rama, Begaj nuk e ka problem fare që ta bëj hapur me kënaqësi, madje ta kuptoj Rama që ai e bën pa e diskutuar urdhërin e tij.
Veliaj është në burgun e Durrësit me akuza qesharake sepse ka 100 akuza të tjera më të rënda që duhej kapur. Këta janë të pafalshëm, por nuk i marrin për krime që kanë bërë", u shpreh Baçi.
