Në kërkim të kandidatit, negociatorët e PD-së takojnë përfaqësuesit e “Mundësisë”, Kapri: Një emër jopartiak
Në kërkim të kandidatit, negociatorët e PD-së takojnë përfaqësuesit e partisë “Mundësia”
pas takimit deputeti Erald Kapri u shpreh se forca politike që ai përfaqëson i mbetet parimit që të mbështesë një emër jopartiak.
“Jemi dakord me parimin, nuk është i rëndësishëm emri. Ne nuk po vendosim asnjë kusht për emër, jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera. Për ne ka rëndësi parimi dhe nuk po bëjmë kushte për emrit. Do i qëndrojmë parimit. Po respektohet ky parim. Ne mendojmë që kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tiranë dhe me emrin me integritet, një model i kundër me Manastirliut. Një njeri profesionist, publik, që i ka vërtet shanset”, tha Erald Kapri.
Ndërsa demokrati Belind Këlliçi u shpreh se takimi ishte produktiv.
"Do të shikojmë çdo propozim që vjen", tha Këlliçi.
Ndërkohë ditën e djeshme në tryezën e presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka mbërritur njoftimi për krijimin e vakancave për 6 bashki në vend, përfshirë dhe kryeqytetin. Shkresa vjen një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, shkarkimin e tij me vendim të qeverisë.
Një akt që sipas nenit 115 të Kushtetutës pezullon automatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave, e për pasojë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet. Pikërisht ky nen pengon kreun e shtetit Bajram Begaj që të dekretojë një datë zgjedhjesh për Tiranën.
Nga dje, kreu i shtetit ka afat 48 orë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Në rastin e Tiranës Kreu i Shtetit po ashtu është i lidhur drejtpërdrejtë me nenin 115, i cili në pikën tjetër të tij, pikën 3, shpjegon qartazi veprimet që duhet të ndërmarrë. Atij i lihen vetëm dy mundësi për caktimin e datës së zgjedhjeve, ose kur nuk është ushtruar e drejta e ankimimit brenda 15 ditëve, ose në rastin kur lihet në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese.

