Projektet zhvillimore, Rama në forumin e SASPAC: Adresuam arritjet dhe sfidat e bashkëpunimit për mbështetjen financiare
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën “Platforma e dialogut me palët e interesuara për ndihmën e huaj në Shqipëri”, një forum i rëndësishëm dedikuar diskutimit mbi sfidat dhe zgjidhjet efikase në drejtim të përdorimit të mbështetjes ndërkombëtare.
Forumi u organizua nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) me partnerët dhe donatorët për zhvillim.
Forumi mblodhi ambasadorë, përfaqësues të lartë të qeverisë, organizatave, agjencive dhe institucioneve ndërkombëtare financiare me drejtues të sektorëve kryesorë, drejtuesen e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Eridana Çano, ministrin e Financave, Petrit Malaj, etj.
Kryeministri Rama theksoi se diskutimi përbën një hap të domosdoshëm për të adresuar sfidat e bashkëpunimit, sidomos në fushën e financimit të projekteve zhvillimore.
“Në tryezën e madhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të adresuar arritjet dhe sfidat e bashkëpunimit në rrafshin e mbështetjes financiare për Shqipërinë e projekteve zhvillimore”, u shpreh Rama.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, i pranishëm në forum vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë dhe theksoi se qasja e qeverisë shqiptare ndaj financimeve publike bazohet në huamarrje të kujdesshme, kosto të ulëta dhe mekanizma që përshpejtojnë zbatimin e projekteve.
“Qasja jonë ndaj financimeve publike udhëhiqet nga parimi i huamarrjes së kujdesshme dhe me kosto të ulët, si dhe nga forcimi i mekanizmave, që sigurojnë përshpejtim të afateve të ekzekutimit, për të garantuar që fondet të përkthehen në ndikim real”, tha ai.
