Kalemaj: Begaj s’mund të shpallë zgjedhjet në Tiranë pa shkelur Kushtetutën

Analisti politik Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin “A Show” me Adi Krastën në SYRI TV, ka komentuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama drejtuar Presidencës për shpalljen e datës së zgjedhjeve në Tiranë, pas shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Sipas Kalemajt, Presidenti i Republikës ka vepruar thjesht si “noter” i qeverisë, duke vulosur çdo kërkesë që ka ardhur nga ekzekutivi.

“Kemi të bëjmë me një president-noter, që ka noterizuar çdo letër të ardhur nga Këshilli i Ministrave dhe Edi Rama. Kujtojmë rastin e komisioneve hetimore, të shpallura më pas antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Ai ka shërbyer si anëtar partie, jo si president mbi palët,” – tha Kalemaj.

Duke iu referuar situatës me bashkitë pa drejtues, analisti theksoi se Tirana ndodhet prej 7 muajsh pa kryetar bashkie, ndërsa opozita kishte kërkuar prej kohësh shkarkimin e Veliajt për çështje më serioze si inceneratorët.

“Në fund, vendimi për shkarkimin u dha në asamblenë e PS,” – nënvizoi ai.

Kalemaj rikujtoi se Veliaj e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila tashmë e ka pranuar dosjen, duke vënë në zbatim nenin 115 të Kushtetutës.

“Nëse presidenti, në kundërshtim me frymën dhe gërmën e nenit 115, pranon shpalljen e zgjedhjeve edhe për Tiranën, atëherë ai shkel hapur Kushtetutën,” – u shpreh ai.

Sipas Kalemajt, një vendim i tillë do të detyronte mbajtjen e zgjedhjeve brenda 45 ditësh, pra deri në mesin e nëntorit.