Balluku: Kapitull i ri për të rinjtë shqiptarë, nisin trajnimet për mirëmbajtjen e avionëve

Shqipëria hap një kapitull të ri në fushën e aviacionit, përmes një programi të ri për përgatitjen e të rinjve në industrinë e mirëmbajtjes së avionëve, një sektor që deri më sot ka munguar në vendin tonë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit sot të marrëveshjes mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës për praktika të paguara pune pranë ARRSH-së, Balluku bëri të ditur se një nga kompanitë më të njohura italiane në këtë fushë do të nisë nga 10 tetori intervistat e para për rekrutimin e 40 të rinjve shqiptarë.

“Kompania ka hyrë në një marrëveshje me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ku do të ngrejë hangarët e parë për mirëmbajtjen e avionëve dhe do të punësojë të rinj shqiptarë, djem dhe vajza që kanë studiuar apo janë duke studiuar në fusha të ndryshme të inxhinierisë. Iu jepet një formim që sot nuk e kemi në kurrikulat tona. Në bashkëpunim edhe me Universitetin do të diskutojmë pjesën e Avionics, por edhe pjesën e Navigimit në një kurrikul permanente të këtij fakulteti”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, objektivi është krijimi i një baze të qëndrueshme të kapitalit njerëzor për një industri të re, e cila pritet të zgjerohet ndjeshëm me rritjen e fluturimeve dhe pasagjerëve në vend.

“Vetëm në Rinas kemi arritur rekordin e 53 mijë pasagjerëve në një ditë, një shifër që tregon qartë dinamikën e re të sektorit të aviacionit. Por, përtej teknologjisë dhe inovacionit, nuk mund të ecim përpara pa kapitalin njerëzor. Inovacioni dhe formimi profesional ecin paralelisht”, u shpreh Balluku.

Balluku vuri në dukje se qeveria shqiptare e ka vendosur inovacionin si një ndër prioritetet kryesore të zhvillimit.

“Trafiku rrugor duke nisur nga 2026 do të jetë gjithashtu një nga sektorët ku inovacioni do të lulëzojë përmes një qendre monitorimi të trafikut, apo përmes kamerave inteligjente, që do të ndihmojnë të gjithë procesin, fillimisht në 200 km, për t’u shtrirë më pas në të gjitha akset kombëtare”, tha ajo.