Praktikat me pagesë të studentëve, firmoset marrëveshja mes MIE-s dhe Universitetit Politeknik, Balluku: Investim tek kapitali njerëzor
Këtë të mërkurë është firmosur marrëveshja për mbështetjen e studentëve mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.
Kjo marrëveshje është një hap për mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.
Në ceremoninë q ëu mbajt në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës mori pjesë edhe vetë Kryeministri Edi Rama.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në fjalën e rastit theksoi se ky ëhstë një investim i drejtpërdrejtë tek kapitali njerëzor.
“Vetëm gjatë periudhës 2024–2025 kemi hapur një nga programet më të mira të praktikave. Kemi patur 225 aplikime për 60 vende për inxhinierë dhe elektriçistë. Sot janë hapur edhe 223 aplikime të reja për një grup të dytë praktikantësh”, tha Balluku.
Ministrja theksoi se industria e rëndë, transporti, energjia dhe sektori minerar kanë sot një kërkesë të jashtëzakonshme për burime njerëzore të kualifikuara.
Ajo nënvizoi se qeveria shqiptare po investon fort për formimin profesional dhe integrimin e studentëve në projekte konkrete, si në sektorin e aviacionit, atë detar dhe energjetik.
“Kemi nevojë për inxhinierë, teknikë, juristë, ekonomistë dhe profesionistë të rinj që jo vetëm të jenë të aftë, por të trajnuar dhe certifikuar sipas standardeve të BE-së. Vetëm kështu mund të garantojmë zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Balluku.
Sipas marrëveshjes, faza e parë e programit parashikon përfshirjen e 10 studentëve me kohë të plotë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërsa faza e dytë do të vijojë me 15 studentë të tjerë. Kohëzgjatja e praktikës do të jetë 6 muaj për të diplomuarit dhe 3 muaj për studentët në vit të fundit, duke u përshtatur me kurrikulën universitare.
Studentët do të përfshihen në sektorë të ndryshëm të ARRSH-së dhe do të kryejnë vizita javore në terren, për të njohur nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e urave, tuneleve dhe segmenteve të reja rrugore.
Balluku vuri në dukje edhe rëndësinë e përfshirjes së vajzave dhe grave në këtë program, duke e cilësuar barazinë gjinore si një nga komponentët thelbësorë të tij.
“Banka Botërore, e cila është financuese e këtij programi e ka një nga komponentët më të rëndësishëm barazinë gjinore. Ne iu shpjeguam që në industrinë e rëndë, transport apo energji, në Shqipëri, ka shumë gra e vajza që kontribuojnë”, theksoi Balluku.
Sipas saj, marrëveshja e sotme nuk është vetëm një bashkëpunim institucional, por një dritare reale mundësish për të rinjtë shqiptarë.

