Kushtetuesja 'ngrin' zgjedhjet në Tiranë/ Kthupi: Presidenti mund të vendosë ligjin në dy forma
Avokati, Rezart Kthupi në një intervistë në Ora News u shpreh se Presidenti mund të vendosë ligjin në dy forma sa i përket zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
Kthupi: Qeveria ka bërë atë që është detyrimin ligjor, të njoftojë Presidentin e Republikës.
Këtu kemi një zbatim të ligjit nga herët e pakta që Qeveria vendosi të zbatojë ligjin atëherë si duhet dhe kur duhet.
Çështja ngelet tek Presidenti i Republikës.
Presidenti i Republikës do ti kërkojë zyrtarisht gjykatës Kushtetuese nëse ka një çështje të regjistruar.
Dmth duhet të ketë një korrespondencë shkresore në gjykatën Kushtetuese në të cilën kjo e fundit do ta informojë Presidentin e Republikës që çështja është e regjistruar në gjykatë Kushtetuese.
Në këtë pikë Presidenti i Republikës ka detyrimin ligjor që të bëjë një interpretim dhe këtu do ngelemi pastaj për të parë se çfarë do ndodhë.
Presidenti i Republikës mund të konsiderojë faktin që për sa kohë që çështja është depozituar në gjykatë Kushtetuese nuk mund të procedojë me shpalljen e datës së zgjedhjeve për bashkinë Tiranë.
Ose në të kundërt të saj mund të interpretojë që për sa kohë që gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim për pezullimin e efekteve të vendimit për shkarkimin e Veliaj, procedojmë me shpalljen e datës së zgjedhjeve në Tiranë.
