VIDEO/ Konstituohet Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme është konstituuar sot.

Kryetar i Komisionit, Igli Hasani në mbledhjen e parë të konstituimit u shpreh se janë bërë disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

Sipas këtyre ndryshimeve, Hasani u shpreh se, “Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme do të përfshijë çështjet e integrimit evropian, përafrimin e legjislacionit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, mbikëqyrjen e zbatimit të angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, mbikëqyrja e asistencës financiare të BE-së për Shqipërisë, monitorimin e negociatave të anëtarësimit në BE, politikat e jashtme, marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Më pas ai lexoi përbërjen e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme:

Igli Hasani                          Kryetar – PS

Bora Muzhaqi                      Nënkryetare – PS

Albana Vokshi                     Nënkryetare – PD

Marjana Koçeku                   Sekretare – PS

Sara Mila                                     PS

Ervin Hoxha                                 PS

Romina Kuko                               PS

Taulant Balla                                PS

Klodiana Spahiu                           PS

Tritan Shehu                                PD

Tomorr Alizoti                               PD

Edmond Haxhinasto                      PL

Vangjel Dule                         Aleanca për Ndryshim

Agron Shehaj                jashtë grupeve parlamentare

Anëtarë zëvendësues janë:

Iris Luarasi                                       PS

Skënder Pashaj                                 PS

Vasil Llajo                                         PS

Mesila Doda             jashtë grupeve parlamentare

Igli Cara                                           PD

Erald Kapri              jashtë grupeve parlamentare

Hasani theksoi se, “integrimi në BE është projekti më madhor i politikës së jashtme të Shqipërisë në ditët e sotme. Është rruga që i tejkalon ndarjet politike dhe i shërben çdo qytetari. Pikërisht se ky proces është thelbi i politikës sonë të jashtme është e natyrshme që të trajtohet bashkë me të në një komision të përbashkët. Kështu fitojmë koherencë institucionale, shmangim fragmentimin dhe japim një mesazh të qartë brenda dhe jashtë vendit, Shqipëria flet me një zë të vetëm në integrimin evropian”.

“Në këtë fazë vendimtare të procesit dhe përgjatë këtij mandati përcaktues është më e rëndësishme se kurrë që puna jonë të jetë efikase, gjithëpërfshirëse dhe e bashkërenduar”, tha ai.

Hasani u shpreh se shpreson që mazhoranca dhe opozita punojnë së bashku me frymë konstruktive, me unitet, sepse theksoi ai, “ua kemi detyrim qytetarëve, familjarëve tanë që presin ta shohin ëndrrën evropiane të Shqipërisë të bëhet realitet”.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu u shpreh se, “ky është komisioni më i rëndësishëm që ka parlamenti shqiptar. Komisioni i Jashtëm gjithmonë ka qenë i tillë, por tashmë me marrjen edhe të proceseve të bashkëpunimit evropian bëhet tejet i rëndësishëm”.

Ai u shpreh se “nuk kam qenë dakord që të eliminohej Komisioni i Integrimit, sepse në këtë moment që jemi ne ishte i domosdoshëm dhe për mua është një gabim trashanik që bëhet duke e shuar atë dhe duke e bashkuar me politikën e jashtme, sepse të dyja kanë objektivat e tyre, disa bashkohen, disa janë të veçanta”.

Megjithatë, shtoi ai, “ky tashmë është bërë një realitet dhe që e bën këtë komision tejet të rëndësishëm, shumë prestigjioz”.

Ai kërkoi nga kryetari Hasani që të ketë respekt të qartë për njëri-tjetrin, për komisionin, për korrektesën dhe elementët që lidhen me funksionimin e këtij komisioni.

Shehu gjithashtu kërkoi që komisioni të shprehet qartësisht solidar me iniciativën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump për planin 20 pikësh të paqes në Gaza dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.