Rrëzohet opozita/ Balla: Mocionin silleni të ndryshuar, duhet të përfshijë një çështje, jo disa

Konferenca e Kryetarëve është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës për datën e zhvillimit të mocionit me debat në lidhje me programin qeverisës dhe interpelancën me kryeministrin Edi Rama.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaron se mocioni ka gjithë mirëkuptimin e mazhorancës, por duhet të paraqitet edhe një herë e ndryshuar pasi duhet të përfshihet një çështje dhe jo gjashtë. Balla tha se mocioni sipas rregullores ka 30 ditë afat nga dita e depozitimit për t’u zhvilluar.

"Kuvendi i Shqipërisë ka përcaktuar një sërë mekanizmash në funksion të deputetëve/grupi deputetësh apo Grupit Parlamentar për të ushtruar mbikëqyrje të ekzekutivit. Jo pa shkak Kuvendi ka përcaktuar në nenin 98 mocionin për një arsye të veçantë dhe konkrete. Duke qenë se kërkohet mirëkuptim, do të keni gjithmonë mirëkuptimin tonë.

E lexova mocionin në të cilin ka 6 superçështje, ku në secilën ka shumë nënçështje. Rregullorja thotë një çështje. Në kërkesë ju caktoni disa makroçështje.

Mjaftojnë dy çështjet e para që listoni të cilat përfaqësojnë dy superçështje të mëdha me shumë nënçështje. Çështjen katër kërkoni integritetin e ministrave dhe më pas vazhdon me kriminalizimin e politikës shqiptare. Pra, z. kryetar, jemi para një kërkese që nuk respekton as në formë as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Në të kaluarën kemi bërë debat dhe jemi dakordësuar që të hartohet mocioni për një çështje të caktuar.

Dy javë pas seancës së diskutimit të programit të qeverisë dhe përbërjes ne e quajmë pikë të ezauruar. Kërkesa për mocion për debat ka 6 superçështje dhe asnjë çështje të veçantë. Jeni të mirëpritur ta risillni të modifikuar vetëm në një çështje.

Nuk e thotë rregullorja që në seancën më të parë të diskutohet mocioni, por brenda 30 ditëve nga depozitimi", deklaroi Balla.