Çështja “Martin”, Holder: Hetimi vazhdon
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Eric Holder, bëri thirrje për një diskutim të ri kombëtar rreth çështjeve të ndërlikuara dhe plotë emocione që rrethojnë vrasjen me armë zjarri të një adoleshenti zezak të paarmatosur vitin e kaluar.Holder foli dy ditë pasi një juri në Florida e shpalli të pafajshëm George Zimmerman, kundër të cilit u ngritën akuza për vrasjen e Trayvon Martin. Mijëra protestues në disa qytete të Shteteve të Bashkuara protestuan kundër këtij vendimi.Holder tha se Amerika nuk duhet të lejojë humbjen e asnjë momenti për zhvillimin e një dialogu të nevojshëm dhe të vështirë në lidhje me stereotipet që kanë të bëjnë me identitetin racor dhe të rinjtë.Holder që kryeson Departamentin Amerikan të Drejtësisë, tha se është duke u shqyrtuar nëse mund të ngrihen akuza federale kundër George Zimmermanit. Departamenit i Drejtësisë duhet të përcaktojë nëse hispaniku George Zimmerman ishte i motivuar nga armiqësia racore. Prokurori Eric Holder nuk dha hollësi lidhur me kohën kur mund të merret një vendim për ngritjen ose jo të akuzave federale kundër zotit Zimmerman.Presidenti Barack Obama nga ana e tij ka pranuar se çështja ka shkaktuar "pasione të forta", por ka theksuar juria ka folur. Ditën e shtunë George Zimmerman u shpall i pafajshëm për vrasjen e 17-vjeçarit me ngjyrë Trayvon Martin, ngjarje e ndodhur në Florida në shkurt të vitit 2012. Vendimi i gjykatës për pafajësi shkaktoi protesta masive në mbarë Amerikën, me shumë manifestues që aludonin për vendim të marrë mbi baza racore.