SHBA,protesta ndaj vendimit në çështjen Zimmerman
Protesta paqësore, por të ngarkuara me emocione kanë shpërthyer në një numër qytetesh amerikane pasi George Zimmerman 29-vjeç, i punësuar si roje private, u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për vrasjen e të riut afro-amerikan, Trayvon Martin, 26 shkurtin e vitit të kaluar.Presidenti Barak Obama bëri thirrje për qetësi dje, pas shpalljes së vendimit. Në një deklaratë me shkrim, Obama e cilëson vdekjen e adoleshentit Trayvon Martin një tragjedi si për familjen ashtu edhe për Amerikën. Por ai bëri thirrje për reflektim paqësor duke shtuar, “Amerika është një vend ku sundon ligji, dhe trupi gjykues e tha fjalën e tij”.Vendimet gjyqësore në çështje të ngarkuara me ngjyrime racore kanë shkaktuar në disa raste protesta dhe trazira masive. Në vitin 1992 disa policë të Los Anxhelosit u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për rrahjen e një afrikano-amerikani. Vendimi u pasua me protesta të dhunshme, akte vandalizmi, plaçkitje dhe kaos. Dhjetra vetë gjetën vdekjen, qindra të tjerë u plagosën dhe dëmet materiale kapën shumën 1 miliard dollarë.Në dallim nga trazira të tilla, protestat pas shpalljes të pafajshëm të të akuzuarit George Zimmerman kanë qenë relativisht paqësore. Të shtunën në mbrëmje, trupi gjykues i përbërë nga gjashtë gra, deklaroi vendimin në një ndër proceset gjyqësore që tërhoqën vëmendjen më të madhe publike gjatë viteve të fundit.pNë vitin 2012, George Zimmerman, gjatë një patrullimi vullnetar të lagjes ku banonte, pa 17-vjeçarin Trayvon Martin duke ecur nëpër lagje. Të dy ata debatuan me fjalë, dhe më pas ata u përleshën dhe incidenti përfundoi me vrasjen e adoleshentit nga Zimmerman.Seanca gjyqësore nxori në pah dëshmi kundërthënëse lidhur me personin që ishte nismëtari i konfliktit dhe me pyetjen nëse Zimmerman kishte reaguar në vetëmbrojtje.Megjithëse është shpallur i pafajshëm në një gjykatë penale, Zimmerman mund të dalë sërish në gjyq, këtë radhë në një gjykatë civile nëse familja Martin ose Departamenti i Drejtësisë vendosin të ndjekin këtë pistë.