Sekretari Kerry viziton Lindjen e Mesme

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të vizitojë sërish Lindjen e Mesme. Vizita e tij zhvillohet mes  tensionesh në rritje në Egjipt dhe përkeqësimit të situatës në Siri.Sekretari Kerry do të vizitojë kryeqytetin jordanez, Aman, ku ai do të takohet me zyrtarët e Lidhjes Arabe për të diskutuar zhvillimet në Egjipt që nga largimi i presidentit Mohamed Morsi nga ushtria egjiptiane në fillim të këtij muaji.Sekretari Kerry gjithashtu pritet të diskutojë me udhëheqësit  e Lidhjes Arabe edhe mbi krizën në Siri.Nuk është e qartë nëse gjatë këtij udhëtimi sekretari Kerry do të zhvillojë bisedime për ringjalljen e procesit të negociatave të paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Por zyrtarët amerikanë thonë se ai mund të takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Aman.Ky është udhëtimi i gjashtë i sekretarit Kerry në Lindjen e Mesme që kur mori postin e Sekretarit të Shtetit në fillim të këtij viti.