SPEKTAKËL NË LA LIGA/ Barcelona “e pamëshirshme”, 6 gola ndaj Valencias, por 2 pikë pas Realit
Barcelona ka dhënë spektakël në përballjen me Valencian duke shënuar plotë 6 gola. Me këtë rezultat qëndron 2 pikë pas Real Madridit që në katër ndeshje ka marrë pikë të plota
Barcelona, e detyruar të luajë në stadiumin e vogël “Estadi Johan Cruyff” për shkak të punimeve në Camp Nou, realizoi një mbrëmje spektakolare duke shkatërruar 6-0 Valencian. Protagonistë absolutë ishin Fermin Lopez e Raphinha me nga dy gola secili, ndërsa Leëandoëski kompletoi suksesin me një dopietë tjetër.
Rashford dhe Ferran Torres shpërthyen shpesh në fazën ofensive, ndërsa rikthimi i Marc Bernal pas një viti dëmtimi emocionoi tifozët. Me këtë fitore, skuadra e Flick ngjitet në kuotën e 10 pikëve, vetëm dy më pak se Real Madrid.
Betisi nuk arrin të ngjitet dhe ndalet në një barazim 2-2 kundër Levantes. Pas një starti shokues ku vendasit shënuan dy herë brenda 10 minutave me Ivan Romero dhe Etta Eyong, miqtë reaguan vonë.
Goli i Cucho Hernandez në fund të pjesës së parë ringjalli shpresat, ndërsa në minutën e 81-të Fornals barazoi me asist të Abde. Levante shpërdoroi rastin e artë për të fituar në minutat shtesë.
Betis mbetet me 6 pikë, ndërsa Levante grumbullon vetëm një. Një tjetër ndeshje pa fitues për Celta Vigon, që ndalet 1-1 me Gironën.
Skuadra katalanase kaloi e para në avantazh me sulmuesin ukrainas Vanat, i ardhur nga Dinamo Kiev, por në fund një gafë e Blind solli penalltinë e kthyer në gol nga Borja Iglesias në minutën e 92’. Të dyja skuadrat mbeten në krizë rezultatesh, pa fitore bindëse në këtë start sezoni.
Në Pamplona, Osasuna mori fitoren e dytë të sezonit duke mundur 2-0 Rayo Vallecanon. Raul Garcia zhbllokoi shifrat që në minutën e 15-të, ndërsa në pjesën e dytë Iker Benito vulosi rezultatin me një aksion personal. Me këtë fitore, Osasuna ngjitet në 6 pikë, ndërsa Rayo ngec në kuotën e 4 pikëve.

