Gjermania shpallet kampione e Evropës në basketboll, duke fituar ndaj Turqisë, Greqia merr vendin e tretë
Gjermania me një përmbysje të madhe e ka mposhtur Turqinë në finalen e “EuroBasket” 2025.
Edhe pse në disavantazh pas pjesës së parë, gjermanët s’u dorëzuan për të shënuar në fund fitore me rezultat 83:88 (22:24, 24:16, 21:26, 16:22).
Finalja ishte e çmendur nga fillimi, ku të dy kombëtaret dhanë gjithçka si dhe në secilin çerek loja ishte mjaftë e baraspeshuar.
Gjermania e nisi më mirë çerekun e parë, të cilën e mbylli me dy pikë epërsi 22:24, megjithatë Turqia u këndell dukshëm në çerekun e dytë për ta fituar me tetë pikë epërsi 24:26, ose shkuar në pushime me rezultat 46:40.
Pas pushimit mes pjesëve, Gjermania arriti ta ngushtonte epërsinë në vetëm një pikë, pasi e mbylli çerekun e tretë me rezultat 21:26.
Në çerekun vendimtar, Gjermania kompletoi përmbysjen e madhe për ta mbyllur me gjashtë pikë dallim 16:22.
Më i miri në këtë finale të madhe te Gjermania ishte Bonga, me 20 pikë, pesë topa të kthyer e tre asistime, kurse te Turqia nuk mjaftoi paraqitja e hatashme e Sengun me 28 pikë, tre topa të kthyer e tre asistime për t’u stolisur me të artën.
Ndërkohë dyshja me origjinë shqiptare si Erxhan Osmani e Kenan Spahiu nuk zhvilluan paraqitje të mirë, ku i pari kontribuoi me vetëm dy pikë, ndërsa tjetri me tre.
Greqia fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në basketboll, pasi mposhtën Finlandën me rezultatin e ngushtë 92:89.
Grekët nisën fuqishëm dhe dominuan në të dyja anët e fushës që nga fillimi i ndeshjes, duke krijuar një epërsi prej nëntë pikësh pas çerekut të parë. Ritmi i lojës mbeti i njëjtë deri në pushim, me rezultatin 48:34 për helenët.
Në pjesën e dytë, Finlanda reagoi duke ndalur sulmin e Greqisë, por para çerekut të fundit grekët ende ruanin një avantazh të madh prej 13 pikësh. Megjithatë, fundi solli dramë të vërtetë: finlandezët shfaqën lojë të fuqishme në sulm dhe kërcënuan fitoren e Greqisë, por nuk patën forcën dhe kohën e mjaftueshme për një përmbysje sensacionale.
Më i miri i ndeshjes ishte Giannis Antetokounmpo, i cili shkëlqeu me një double-double prej 30 pikësh dhe 17 ribaundesh. Ai u mbështet nga Tyler Dorsey, që kontribuoi me 20 pikë.
Te Finlanda, Lauri Markkanen realizoi gjithashtu një double-double me 19 pikë dhe 10 ribaunde, ndërsa Valtonen shtoi 18 pikë, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur Greqinë.
