SERIA A/ Roma bie ndaj “granatave”, Simeone vendos sfidën. Atalanta dominon Lecce me 4 gola
Java e tretë e Serie A solli emocione dhe surpriza: Sassuolo mori fitoren e parë të sezonit duke mposhtur Lazion, Roma u ndal në shtëpi nga Torino, ndërsa Atalanta e Juric shkëlqeu kundër Lecce me një goleadë.
Pas dy humbjeve radhazi, Sassuol ka befasuar duke mposhtur Lazion me rezultatin 1-0 falë golit të Faderës në minutën e 70-të.
Ndeshja u vendos pas një goditje këndi, ndërsa portieri Muric u shfaq vendimtar me pritjet ndaj Zaccagnit.
Lazio, ndonëse dominoi në pasime, nuk arriti të përçante mbrojtjen e zezëjeshilëve dhe regjistroi humbjen e dytë radhazi jashtë fushe.
Në “Olimpico”, Roma pësoi një tjetër surprizë. Granatat e Torinos, të udhëhequr nga Simeone, fituan 1-0 me një gol spektakolar të argjentinasit në minutën e 59-të pas një kundërsulmi të shpejtë.
Ekipi i Gasperinit, ndonëse dominoi në zotërimin e topit, nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, ndërsa portieri Svilar shpëtoi verdhekuqtë nga një disfatë edhe më e thellë. Për Torinon kjo ishte fitorja e parë në kampionat, ndërsa Roma ndalet pas dy sukseseve radhazi.
Atalanta shkëlqeu në Bergamo duke shkatërruar Lecce me rezultatin 4-1. Pas një fillimi të kujdesshëm, Scalvini hapi serinë me kokë në minutën e 37-të.
Në pjesën e dytë protagonisti absolut ishte Charles De Ketelaere me dy gola dhe një asist, ndërsa Zalewski shënoi golin e tretë. Lecce shënoi vetëm golin e nderit me një perlë të N’Dri-t në fund, por nuk arriti të shmangte disfatën e thellë.
Pas javës së tretë, Juventus dhe Napoli mbeten ekipet më të rregullta në garë, ndërsa Roma humb terren dhe Sassuolo, Torino e Atalanta gjejnë qetësi pas fitoreve të para të sezonit.

