Njihej si “Hitman” i ringut, ndahet nga jeta boksieri britanik

Boksieri britanik Ricky Hatton, ish-kampioni i botës në dy kategori, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Federata Botërore e Boksit (WBA), e cila e cilësoi atë si një legjendë të pavdekshme të ringut.

I njohur me nofkën “Hitman”, Ricky Hatton ishte një prej figurave më të dashura të boksit britanik dhe ndër më të respektuarit në botë. Gjatë karrierës së tij 15-vjeçare, ai fitoi DISA titujt botërorë para të tërhiqej nga sporti në vitin 2012.

Policia e Manchester-it bëri të ditur se trupi i tij u gjet të dielën në Hyde, në veri të Anglisë, duke theksuar se “vdekja nuk po trajtohet si e dyshimtë”.

Hatton regjistroi 45 fitore në 48 duele, duke shënuar kulmin e karrierës më 2005 kur mundi australianin Kostya Tszyu për titullin IBF. Ai kishte një rekord perfekt prej 43-0 deri në duelin me Floyd Mayweather Jr në Las Vegas më 2007, ku pësoi humbjen e parë. Dy vite më vonë u mposht serish nga Manny Pacquiao, çka shënoi edhe rënien e tij sportive.

Jeta pas boksit nuk ishte e lehtë. Hatton foli hapur për betejën me depresionin, alkoolin dhe drogat, duke rrëfyer se kishte tentuar disa herë t’i jepte fund jetës. “Po shkoja drejt shkatërrimit. Ishte si një tren pa frena,” tha ai në një intervistë për BBC në vitin 2016.

Reagimet nuk munguan. Ish-kampioni britanik Amir Khan shkroi: “Sot humbëm jo vetëm një nga boksierët më të mëdhenj britanikë, por një mik, një mentor, një luftëtar. Ricky, faleminderit për gjithçka.” Ndërsa Manchester City, skuadra e zemrës së Hatton, njoftoi se para derbit me Manchester United do të mbahej një minutë homazh.