Atentati me dy viktima në Shkodër, merret sot në pyetje kamarierja e plagosur
Hetimet për të zbardhur ngjarjen e dy ditëve më parë që tronditi Shkodrën po vijojnë. Pas marrjes në pyetje të shënjestrës së atentatit Erogen Brajoviç si dhe autorit të ngjarjes Ragip Gila, sot do të merret në pyetje kamarierja 25-vjeçare e lokalit.
Meri Kaceri ndodhej në punë duke shërbyer, kur është plagosur nga Gila. Ajo ndodhet në spitalin e Shkodrës në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Si ndodhi vrasja?
Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur Ragip Gila qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç.
Nga atentati mbeti i vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi) 31 vjeç, truproja i Erogen Brajoviç. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.
Kurse të plagosur mbetën shënjestra e dyshuar, Erogen Brajoviç dhe kamarierja 25-vjeçare e lokalit, Meri Kaceri. Erogen Brajoviç, i cili mori tre plumba, ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë./Dosja.al

