Sulmet në Boston, Tsarnaev deklarohet i pafajshëm
I akuzuari për shpërthimet në Maratonën e Bostonit Dzhokar Tsarnaev është deklaruar I pafajshëm ndaj të gjitha akuzave në lidhje me shpërthimet vdekjeprurëse në vijën e finishit më 15 prill.Tsarnaev deklaroi pafajësinë dje në një gjykatë federale në Boston, duke u përgjigjur “i pafajshëm” tridhjetë herë me radhë në përgjigje të 30 akuzave.Në akt-akuzë përfshihet edhe akuza për përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë. Nëse shpallet fajtor, 19-vjeçari Tsarnaev mund të dënohet me vdekje ose burgim të përjetshëm.Përballja e tij me gjykatën shënon herën e parë që ai ka dalë në publik që nga arrestimi i tij pak ditë pas shpërthimeve të 15 prillit.Tre persona u vranë dhe mbi 260 të tjerë u plagosën nga shpërthimet. Tsarnaev akuzohet gjithashtu për vrasjen e një polici pak ditë pas sulmeve terroriste.