Berisha: Rama i ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore pensionistët në 12 vite! Djegësi i Tiranës që kushtoi 130 milionë euro, sa 812 mijë pensione

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me pensionistët, theksoi se trajtimi i pensionistëve nga ana e qeverisë Rama ka qenë "çnjerëzor" gjatë 12 viteve të fundit.

Ai theksoi se shumica e pensionistëve në Shqipëri përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, duke përmendur se shumë prej tyre janë të detyruar të mbështeten në ndihmën e familjarëve për të mbijetuar. Berisha kritikon ashpër qeverinë për mos rritjen e pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve dhe shpenzimeve të jetesës.

Ai po ashtu denoncoi faktin se administrata shtetërore po mbahet "në të zi" pa paguar sigurime shoqërore, çka ka krijuar një deficit të madh në fondin e pensioneve.

Ai kritikoi ndërtimin e djegësit të Tiranës, duke theksuar se për këtë projekt u shpenzuan 130 milionë euro, të cilat u grabitën dhe nuk sollën asnjë rezultat. Berisha akuzoi ministren Balluku për mosraportim të vërtetës dhe lidhjet e parave me Edi Ramën. Ai gjithashtu përmendi dëmëtimin e investitorëve dhe gjobën 110 milionë euro për ndihmën ndaj politikës, duke nënvizuar se këto shpenzime janë mbi 500 mijë pensione. Berisha e quajti luks të shfrenuar blerjen e Kopshtit të Edenit me 5 milionë euro, duke thënë se paratë e taksapaguesve nuk duhet të shpenzoheshin për kënaqësinë e Ramës.

Deklarata e plotë:

Së pari, shpreh nderimin tim më të madh dhe përuljen time për të gjithë kontributin që ju keni dhënë në këtë vend për familjet tuaja, për veten tuaj, për shoqërinë, për Shqipërinë.

Shpreh gjithashtu keqardhjen time të thellë, por edhe dhimbjen për faktin që ju, qindra mijëra gra e burra, që shkritë energjitë tuaja, mendjen tuaj, talentet tuaja, aftësitë tuaja për zhvillimin e këtij vendi, sot ndodheni në një gjendje pakrahasimisht më të vështirë, në rrafshin ekonomik, sesa bashkëmoshatarët tuaj në çdo vend tjetër.

Sot, mbi 780 mijë pensionistë përballen, përveçse një pjesë e tyre që kanë pensione maksimale, të tjerët përballen me vështirësi serioze për ushqimin e muajit, e ditës, për ilaçet që rëndom duhen në këtë moshë dhe për kujdeset e tjera të nevojshme.

Jetoni, të shumtit nga ju, nga ato ndihma që u dërgojnë fëmijët tuaj, familjarët tuaj, sepse pensionet janë absolutisht pensione të padenja dhe në këtë kontekst, në këtë kuadër, duhet t’u them se qëndrimi ndaj jush është qëndrim ndaj dinjitetit njerëzor.

Njeriu duhet të jetojë në dinjitet, por njeriun që e dënon me varfëri, ti ia dhunon edhe dinjitetin.

Pse them e dënon? Sepse ju në 12 vite jeni dëshmitarë, e keni provuar me jetesën tuaj të përditshme se pensionet tuaja janë rritur shumë më pak se sa çmimet.

Në qoftë se çmimet në dyqane janë dyfishuar, ndonjëherë edhe mbidyfishuar, dhe këtu është fjala për çmimet bazë.

Në qoftë se ilaçet e rimbursimit janë pakësuar dhe për fatin e keq edhe ato që blini janë jashtë standardeve, sepse këta e anuluan ligjin për interesa të mafies, ligji që garantonte standarde të BE.

Pra, ju sot jeni shtresa më e injoruar dhe në mënyrën më të pamerituar.

Nuk ka diskutim që pensionet bazohen në fondin e pensioneve.

Por kur bëjmë fjalë për tranzicion real, atëherë ne tranzicionin duhet ta pranojmë në të gjithë fushat.

Edhe fondi i pensioneve është në tranzicion.

Por vijmë sot. Qëndrimet 12 vite të kësaj qeverie kanë qenë më së paku të papërgjegjshme.

Kanë qenë edhe të pamëshirë në njëfarë aspekti sepse çdo qeveri në janar, kur bën buxhetin e shtetit, ajo qeveri ndan kaq për rrogat, kaq për pensionet, kaq do ndaj për shkollat, për kopshtet, shëndetësinë e me radhë.

Kurse ju iu zhduku nga zëri. Jo rrogat. Rrogat e larta i trefishoi. Tani dini një gjë ju, sot Shqipëria që thonë këta, për rrogëlartit ka rrogat më të larta në rajon.

Diferencën midis rrogës së lartë, rrogës mesatare dhe pensionit mesatar e ka më të madhen në rajon, çka është çnjerëzore.

Sepse ti mund të jesh Presidenti i Republikës, por edhe ajo që shtyp, edhe ajo që pastron, edhe ajo ka fëmijë. Edhe ata shpenzojnë dhe konsumojnë.

Prandaj gjithmonë bëhet një përllogaritje që kjo diferencë të mos jetë më e madhe se 4-5 herë. Këtu është 10-12 herë. Dhe këta e bënë. Ne e kishim 4-5 herë.

Doli në mënyrë shumë evidente se Edi Rama, mos ia përmendim as emrin, thotë se nuk na lejon fondi i pensioneve për të rritur pensionet. Dhe në qoftë se ne rrisim pensionet nga buxheti, ne pësojmë katastrofë. Nuk ka mashtrim më të madh.

Është e vërtetë që në vende që kanë dekada e dekada disiplinë në menaxhimin e fondit të pensioneve, në kontributet shoqërore dhe përdorimin e fondit për shtimin e tij me investime, është fondi që i përballon.

Por ky vend nuk jemi ne. Nuk janë as vendet e rajonit.

Atëherë çfarë bëhet? Shtohet nga buxheti.

Çfarë bëmë ne në vitin 2005-2013. Ne e gjetëm pensionin minimal 36 euro dhe e rritëm në 82 euro.

Gjetëm pensionin mesatar 110 euro dhe e rritëm në 143 euro.

Kosova para dy muajsh deklaroi se do i rris me 20 përqind pensionet dhe mori 100 milionë euro nga buxheti dhe i vendosi në fondin e pensionet.

Tani ky mashtrues që e ka për moral mashtrimin, bën mbledhje, merr disa pensionistë, merr në krahun tjetër disa biznesmenë dhe u thotë ju e keni fajin se mbani punëtorët në zi pa sigurime shoqërore, ndaj dhe këta nuk marrin pensionet.

Po a e dini ju se kush mban më shumë në zi pa sigurime shoqërore? Administrata e Edi Rama.

Janë me qindra milionë euro deficit në fondin ju sepse Edi Rama nuk u paguan sigurimet shoqërore punonjësve të administratës.

Kjo është e vërteta.

Në radhë të parë duhet të paguajë shteti vetë. Kur shteti nuk paguan sigurimet shoqërore, ai është një shtet që nuk ka asnjë normë morale.

Kur ato sigurime shoqërore janë për ata që kanë larë me djersë këtë vend dhe ky që punon në administratë, shteti nuk i jep lekët, sepse nuk ka asnjë përgjegjësi punonjësi këtu, po këta mbajnë shumicën e administratës në të zi pa sigurime shoqërore.

E dyta, nuk ka dyshim që e mira do ishte që pensionet të rriten duke përdorur fondin e pensioneve.

Por kur nuk ka mundësi, pensionet nuk mund t’i lësh kurrë ashtu siç janë, sepse çmimet rriten, ky është ligj në ekonominë e lirë.

Çfarë bëjnë këta? Këta grabisin jashtë çdo imagjinate.

Unë ftoj sot çdo pensionist të hedhë sytë në Sharrë, ku është djegësi. Djegësi i Tiranës, që kushtoi 130 milionë euro, që kushtoi 812 mijë pensione, nuk ka as nam, as nishan.

Imagjinojeni pra. Se thotë nuk kemi pare, por vidhen paret, se pare ka.

Djegësi, u dhanë paratë çdo muaj dhe çdo vit dhe nuk shtoi as një tullë.

Dhe për ta mbikëqyrur djegësin, ndërtimin e tij se çdo punim ka një supervizor, paguhet një njësi prej tre vetësh në ministrinë e Ballukut dhe Balluku dhe ata kurrë nuk raportuan se djegësi nuk po ndërtohej.

Nuk raportuan se ajo e dinte se paratë shkonin në kontot e Edi Ramës, se përndryshe nuk e merrte kurrë përgjegjësinë ligjore dhe të mos raportonte.

Natyrisht në qoftë se i zhdukim me një dorë 130 milionë euro,për pensionistët nuk ngelet.

Por ama ato bëjnë 812 mijë pensione.

Se thonë ku janë paratë.

Si nuk kemi?

Po marr rastin Beketi. E mori dhe e përzuri investitorin italian si armik sepse televizioni i tij nuk i nënshtrohej.

Dhe për t’i treguar se unë vendos këtu, e përzuri.

Çfarë ndodhi? 110 milionë euro gjoba dhe ua them unë, gjoba e tëra sepse mbajtën qëndrim politik ndaj investitorit. E përzunë për motive politike.

Por këto janë mbi 500 mijë pensione.

Avion, se thotë ku t’i gjejmë paratë, jo, paratë i ka shteti, por këta i vjedhin paratë, i bëjnë luks. 21 milionë euro në dy vite, 140 rrugë. Presidenti amerikan kishte 74 rrugë në dy vite. ky 140 rrugë me avion në dispozicion. Kancelari i Austrisë udhëton pa avion në dispozicion, udhëton me avionin tregtar si të gjithë qytetarët.

Luksi i shfrenuar, blen Kopshtin i Edenit se është qejfli i madh ky, 5 milionë euro. Urdhëroni sa pensione janë.

Nuk ka pasur kurrë një instalacion druri aty. Po nuk mund ta blesh ti atë, nuk janë paratë e tua ato. Nuk futet në asnjë protokoll qeveritar blerja e tij. Nuk është vetura që do udhëtojë kryeministri, por është një instalacion për të kënaqur sytë Edi Rama. Nuk e blen askush, asnjë kryeministër.