Blushi: Programi ynë ul ndjeshëm koston e jetesës dhe çliron ekonominë kombëtare nga kriza dhe stanjacioni regresiv

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi

Jemi sot në këtë komunikim me ju, së bashku me Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Z. Edmond Haxhinasto, për të prezantuar një pjesë të programit ekonomik “ Made in Albania”, ku janë integruar më së miri edhe prioritetet madhore të Partisë së Lirisë.

Më 11 Maj Shqipëria ka mundësinë historike për t’u shndërruar në një fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon duke hapur një kapitull të ri të krenarisë kombëtare, që na ndan përfundimisht nga modeli i dështuar i Narkoekonomisë së mbështetur mbi ndërtimin e kullave të drogës dhe korrupsionit dhe në skemat korruptive 5D dhe ato kryekorruptive 5B, që kanë zhvatur përbindshëm taksat e qytetarëve duke rrënuar Buxhetin e Shtetit, duke shkatërruar dhe falimentuar ekonomitë familjare dhe varfëruar më shumë se gjysmën e shqiptarëve në 12 vite, që me të ardhurat mizerabël jo vetëm e kanë të pamundur të blejnë sot një apartament por mezi shtyjnë ditët për të blerë ushqime, ilaçe dhe për të paguar faturat e kripura dhe abuzive të energjisë elektrike apo ujit të pijshëm.

Përballë alternativës së varfërisë së ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare dhe korrupsionit skizofrenik programor të “Rilindjes”, koalicioni fitues “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” del para shqiptarëve me një alternativë të shkëlqyer, plotësisht të financueshme, që ul ndjeshëm koston e jetesës dhe çliron ekonominë kombëtare nga kriza dhe stanjacioni regresiv ekonomiko-shoqëror.

Programi i përbashkët ekonomik “Made in Albania”, ku janë integruar edhe prioritetet madhore të Partisë së Lirisë, në fokus ka vetëm qytetarin dhe rritjen e mirëqenies së tij, ka biznesin dhe nxitjen e prodhimit vendas.

Duke e konsideruar prodhimin shqiptar krenari kombëtare, gjenerator kryesor të punësit dhe rritjes së pagave, pensioneve dhe mirëqenies së qytetarëve, ky program shumë realist është dëshmi e vërtetësisë dhe seriozitetit për të mbajtur dhe çuar deri në fund premtimet e bëra ndaj qytetarëve përkundrejt dhjetëra mashtrimeve të pacipa të Edi Ramës, i cili nuk ka mbajtur asnjë premtim por vetëm ka zhytur vendin në mjerim dhe ka zhgënjyer thellësisht më shumë se ngjysmën e shqiptarëve.

Sepse Edi Rama është faktuar këto 12 vite se nuk është asgjë tjetër vecse kryetaksa dhe kryegjoba më grabitqare për shqiptarët, i cili ka patur vetëm një objektiv, grabitjen, korrupsionin, zhvatjen dhe rritjen e pandalshme të taksave, të tarifave dhe asgjësimin e shërbimeve për qytetarët.

Duke votuar më 11 Maj për programin ekonomik “Made in Albania” të Shqipërisë Madhështore, shqiptarët do të votojnë për uljen e taksave, për rritjen e të ardhurave të familjeve të tyre, për rritjen masive të punësimit të mirëpaguar dhe për ndërtimin e një Shqipërie prodhuese dhe eksportuese në rajon.

Ky program do të realizohet në mënyrë të padiskutueshme duke reformuar rrënjësisht së pari sistemin fiskal, që do thjeshtohet për të lehtësuar konsumatorët dhe bizneset si dhe për të rritur interesin e investitorëve vendas e të huaj.

Për realizimin e këtij objekti madhor:

-Do të ulet numri i shkallëve të ndryshme tatimore.

-Do të vendoset taksa e sheshtë 10% i kapitalit.

-Taksa e sheshtë 10% mbi të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para.

-Gjithashtu, taksë e sheshtë 10% mbi të ardhurat jo nga paga si dhe 0 taksim për të gjitha profesionet e lira si dhe biznesin e vogël.

-Tavani vjetor për tatim - fitimin do të jetë 0 për biznesin e vogël.

-Kufiri i përjashtimit nga TVSH- ja do të jetë 18 milion lekë xhiro vjetore dhe ndërkohë TVSH do të ulet në 15%.

-Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të ulet nga 8% e cmimit të shitjes në 2% të preventivit dhe kjo për faktin, sepse tanimë të gjithë e dimë se shkaku kryesor i cmimeve stratosferike në ndërtim janë pikërisht taksat absurde që “ Rilindja” dhe Edi Rama kanë vendosur mbi sipërfaqen e ndërtimit.

Jo vetëm e kanë 10- fishuar taksën e përparme, por deri e kanë 30- fishuar atë.

Këto taksa të cmendura të imponuara dhunshëm nga “Rilindja” u janë faturuar të gjitha qytetarëve, duke ju pamundësuar blerjen, aq sa sot mbi 60 mijë apartamente në Tiranë rezultojnë bosh, ndërkohë që një cifti të ri i duhen 60 deri 70 vite punë për të blerë një apartament ose një shtëpi në periferi të Tiranës.

Falë këtij programi të shkëlqyer që ne ofrojmë për shqiptarët, e në veçanti për të rinjtë dhe familjet e reja, kjo situatë do të marrë fund përgjithmonë më 11 maj.

Gjithashtu, nëpërmjet këtij programi ne angazhohemi që pas 11 Majit, energjia elektrike për bizneset nga 18 deri në 24 lek kë/orë që është sot , të ulet dhe do të ulet 6 lekë kë/orë.

Taksa e shitjes së pronës do të ulet nga 15% në 2%, ndërkohë që taksa mbi karburantet do të ulet në nivelin e vendeve të rajonit dhe cmimi i karburanteve në pikat e pakicës nuk do të jetë më i lartë se 10% krahasuar me vendet fqinje të rajonit.

Ndaj me votat plebishitare për koalicionin “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, sot ne ftojmë sërish të gjithë shqiptarët që ta kthejmë 11 Majin në një Fitore Madhështore, që në radhë të parë garaton Shqipërinë fuqi prodhuese dhe eksportuese në rajon!