SHUARJA E NJË YLLI/ “Bravo Shkodra, ia bëre fora!”, Rita Gjeka kujton takimin e parë me Margarita Xhepën: Ajo ishte Nanë!

Mbahen sot homazhet në nder të ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme.

Kujtime nga jeta e artistes së madhe solli me plot emocion në “Ora News” aktorja Rita Gjeka.

“Margarita Xhepa ishte një aktore që ka lënë gjurmë në secilin prej nesh, për mua ajo ishte një idhull dhe rrugët tona do të bashkoheshin në një ditë shumë të rëndësishme për mua, pasi ishte dita kur unë do konkurroja për Artin Dramatik.

Në atë kohë konkursi bëhej në Teatrin Kombëtar, ishte e diel, data 5 korrik e vitit 1981. Atë ditë Margarita ishte rastësisht dezhurn, pra edhe një yll si ajo bënte dezhurnin në institucion.

Studiot e Teatrit Kombëtar ishin shumë afër me vendin ku bëhej dezhurni, dhe ajo më dëgjoi. Kur mbarova m’ afrua dhe më tha “Bravo Shkodra, ia bëre fora!” fjalën fora nuk e kisha dëgjuar deri në atë çast, dhe nuk e kuptova në fillim çfarë donte të më thoshte, e kështu m’u desh ta përktheja më vonë.

Ishte aq e rëndësishme kjo për mua, pasi e besova menjëherë Margaritën se unë e kisha marrë provimin dhe nuk kisha më nevojë të prisja për rezultatet.

Pas kësaj të gjithë periudhën që isha studente nuk kam lënë asnjë shfaqje të saj pa parë.

Kur u bëra aktore më pas patëm disa bashkëpunime të vogla me të.

Ajo ishte një person me dimension të gjerë, ajo ishte jo vetëm aktore e madhe, pasi atë e dimë të gjithë. Por Margarita ka qenë një nënë e madhe, një grua e madhe, një personalitet artistik dhe jo vetëm i madh. Gjithmonë me përmasa shumë të mëdha.

Mua më pëlqen më shumë të them se ajo ishte shumë nanë. Jo në konceptin e familjes, por edhe kur të ardhur pranë për të të bërë një vërejtje atë e bënte me një ëmbëlsi, me një mënyrë ku ti nuk e kuptoje a ishte vërejtje apo kompliment.

Sepse ajo ishte një nanë, e ka ditur t’i zgjedhë fjalë, ka ditur t’i thotë gjërat. Pastaj imagjinoni me ato sytë e saj bojëqielli shkëlqente si një rreze drite”, u shpreh ndër të tjera aktorja Rita Gjeka.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME AKTOREN RITA GJEKA NË “ORA NEWS”