Skandali me mishin e pulës me salmonelë/ Policia ndalon importuesin Arben Goxha, por vendos ta procedojë në gjendje të lirë

Policia e Tiranës ka ndaluar shtetasin Arben Goxha, i cili ishte shpallur në kërkim për importimin e disa tonëve mish pule që kishte rezultuar i infektuar me bakterin e salmonelës.

Sipas njoftimit të autoriteteve Goxha është vendosur të procedohet në gjendje të lirë pas konsultimit me prokurorin.

Sakaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ndaluan shtetasin A. G., 50 vjeç, të shpallur në kërkim për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme, për shëndetin ose jetën e njërzëve“. Pas konsultimit me prokurorin, u vendos procedimi në gjendje të lirë i këtij shtetasi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Skandali i mishit të infektuar me salmonelë

Investigimi i gazetares së televizionit “Ora News”, Alketa Çeku, se shqiptarët  kanë konsumuar mish pule të infektuar me bakterin e salmonelës ka alarmuar Ministrinë e Bujqësisë, AKU dhe institucionet e tyre të varësisë.

Ky skandal u tentua të kalohej në heshtje, por publikimi i flet-analizave nga “Ora News” ku u pa qartë se mishi i pulës ishte infektuar me salmonelë vuri në lëvizje institucionet.

AKU e ka detyrim ligjor njoftimin e konsumatorit ne raste kur në treg është  hedhur një produkt që i rrezikon shëndetin, por pavarësisht këtij fakti nuk bëri asnjë njoftim në  faqen zyrtare.

Kaluan vetëm dy orë nga publikimi i lajmit nga televizionit “Ora News” që AKU të “zgjohej” dhe të reagonte duke pranuar skandalin ushqimor.