"11 MAJI"/ Nis prodhimi i fletëve të votimit për diasporën, Celibashi: Çdo zgjedhës do ta marrë vetëm personalisht zarfin zgjedhor! Brenda edhe një udhëzues

Ka nisur prodhimi i fletëve të votimit për zgjedhësit nga jashtë që janë regjistruar për të votuar më 11 Maj. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha në një komunikim me gazetarët se fletët po printohen nga një kompani sllovene dhe se do të jenë gati deri më 7 Prill.

Përgatitja e zarfeve me fletën e votimit do të bëhet nga 8 Prilli, ndërsa zgjedhësve jashtë parashikohet që t’u dërgohet brenda datës 17 Prill.

Celibashi informoi gjithashtu se po ndërtojnë edhe një udhëzues që do t’u dërgohet zgjedhësve bashkë me fletën e votimit, ku do të shpjegohet se si do të mund të votojnë.

“Ka filluar procesi i printimit të fletëve të votimit për votimin jashtë vendit dhe besojmë që midis datave 7-8 Prill do të kemi këtu fletët e votimit. Midis 8-9-10 fillojmë përgatitjen e zarfave dhe dokumentacionin që do t’u dërgohet votuesve, duke shpresuar që ky process të realizohet brenda datës 15-17 Prill.

Kohë e mjaftueshme sipas parashikimeve kontraktuale që do të kemi me operatorin e shërbimit postar për të dërguar zarfat, për t’i dhënë kohë rreth 3-4 ditë për të plotësuar fletën e votimit dhe koha për t’u kthyer në KQZ deri në 19:00 të datës 11 Maj.

Jemi duke përfunduar një tutorial për gjithë sa duhet të bëjë votuesi nga jashtë dhe me brenda 2-3 ditëve do të bëhet publike nëpërmjet mediave por edhe rrjeteve sociale.

Po ndërtojmë një system të ndihmës dhe këshillimit për votuesit nga jashtë nëse kanë nevojë për sqarime për procedurat e votimit. Në setin e dokumentacionit, që do t’u dërgojmë do të jetrë edhe një udhëzues që sqaron qartësisht se çfarë duhet të bëjë votuesi nga jashtë.”, u shpreh Celibashi.

Sa i përket votimit brenda vendit, kryekomisioneri sqaroi se ka filluar rekrutimi i operatorëve për përdorimin e pajisjes së votimit. Ai tha se brenda 10 ditësh, do të instalojnë pajisjet në njësinë nr 10 dhe në bashkinë e Vorës, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të familjarizohen me të.

“Sa i përket votimit brenda vendit, ajo që vlerësojmë më të rëndësishme për momentin është me fillimin e procesit të rekrutimit të operatorëve të përdorimit të pajisjes së votimit elektronik. Ky proces ka filluar prej disa ditësh, janë 6500 aplikime për operatorë por 5200 qendra votimit.

Numri përfundimtar i qendrave të votimit do të dalë pasi drejtoria e përgjithshme e gjendes civile të përcjellë në KQZ ekstraktin e fundit të listës së votuesve brenda vendit. Kemi përgatitur një program të trajtimit të trajnimit të operatorëve. Ndërkohë jemi në procesin e përgatitjes teknike të këtyre pajisjeve.

Kemi filluar edhe procesin e përgatitjes së votimit elektronik për njësinë nr 10 dhe bashkinë e Vorës. Besoj për 10 ditë, ose dy javë, do të vendosim në disa pika të njësisë 10 dhe bashkisë Tiranë, ku do të instalojmë këtë pajisje që votuesit të familjarizohen me përdorimin e këtyre pajisjeve”, u shpreh Celibashi.