Arrestimi i Metës, Xhixho në protestën para SPAK-ut: Rrëmbim kriminal, drejtësia me dy standarde po persekuton liderët e opozitës

Nënkryetarja e PL, Erisa Xhixho në protestën para SPAK e quan rrëmbim kriminal arrestimin e Ilir Metës.

Sipas saj, drejtësia po vepron me dy standarde dhe po persekuton liderët e opozitës.

Fjala e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë në protestën SPAK

Ne jemi mbledhur sot të denoncojmë duke protestuar, dhe me protestën tonë të dëshmojmë se padrejtësia nuk mund të shitet për drejtësi.

Nëse në këtë vend do të kishte drejtësi, nëse do të zbatohej Kushtetua dhe ligjet e shtetit, ne nuk do të ishim sot këtu.

Pra, na ka mbledhur lufta kundër padrejtësisë dhe standardi i dyfishtë që aplikojnë organet e drejtësisë.

Sot është fakt që drejtësia është selektive, me dy standarde dhe po persekuton liderët e opozitës, po persekuton deputetët e opozitës. Dhe e gjitha kjo ndodh vetëm për një arsye; sepse opozita është e vendosur t’i qëndrojë përballë këtij regjimi.

Siç e kishim paralajmëruar, sot ne, Partia e Lirisë, kemi kallëzuar në SPAK ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për shpërdorim detyre si edhe Strukturën Operacionale për rrëmbimin kriminal dhe në kundërshtim flagrant me të gjitha ligjet e shtetit, të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ky rrëmbim politik është në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ndaj, do ta ndjekim çështjen deri Strasburg dhe çdo instancë ndërkombëtare.

Sot Presidenti i Partisë së Lirisë mbahet në izolim ekstrem pa fakte, pa prova dhe pa asnjë akuzë penale. Dhe kur kjo ndodh me një personalitet si Ilir Meta, ish-Presidenti i Republikës, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë me qytetarët e tjerë!

Ka 30 vjet që hetohet Ilir Meta me lloj-lloj dosjeje hetim politik, por pyetja që shtrohet është: pse izolohet në ekstrem para zgjedhjeve të 2025 Presidenti i Partisë së Lirisë?

Përgjigjja është shumë e thjeshtë sepse Ilir Meta dhe Partia e Lirisë janë rrezik elektoral për regjimin ndaj duhet izoluar në ekstrem.

Sot drejtësia është arma që po përdoret nga qeveria kundër kundërshtarëve politikë që rrezikojnë pushtetin e rrënuar të Edi Ramës.

Po kush është shqetësimi i qytetarëve shqiptarë sot dhe çfarë kërkojnë nga drejtësia? Sot shqiptarët kërkojnë që SPAK të veprojë ndaj atyre që po vjedhin taksat e qytetarëve më të varfër në Europë.

Ku vidhen miliona euro si mega afera e inceneratorëve dhe ku arkitekti i kësaj skeme mafioze, Edi Rama, as nuk përmendet në dosje e jo më të thirret në pyetje apo të ngrihet akuzë penale.

Ky Kryeministër që ka dhënë 17 vendime qeverie në një ditë nuk preket nga SPAK. Në akuzë penale duhet të ishte sot kryetari Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës dhe ideatori i skemës 5D.

Por për Edi Ramën dhe Veliajn, drejtësia nuk vepron. Ndaj sot i themi JO padrejtësisë që na shitet si drejtësi!

I themi jo përdorimit të SPAK-ut për interesat politike të kryeministrit! I themi jo izolimit politik dhe të padrejtë të Ilir Metës!