Pirdeni: Transparenca dhe llogaridhënia, pjesë e strategjisë për reformën në administratën publike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni solli sot në vëmendje masat që janë marrë deri tani në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve të administratës publike.

Gjatë tryezës mbi “Qeverisjen e hapur”, të organizuar nga komisioni i posaçëm Antikorrupsion, Pirdeni vlerësoi fillimisht analizën e bërë nga grupi i ekspertëve që ka punuar në këtë fushë.

Sipas saj, analiza dhe rekomandimet e grupit të ekspertëve përputhen me zotimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të negociatave, udhërrëfyesit për reformat në administratën publike, si dhe udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës.

Pirdeni theksoi se këto janë çështje që i përkasin të gjithë aktorëve shoqërorë dhe jo vetëm ekzekutivit.

“Me organizatat e shoqërisë civile ne bashkëpunojmë ngushtësisht për çdo lloj çështje që ka të bëjë me transparencën dhe llogaridhënien.

Ne po punojmë përgjatë këtij viti në mënyrë intensive për të realizuar strategjinë për reformën në administratën publike.

Arsyeja pse ky proces është shtyrë është sepse pikërisht synimi ynë ka qenë që në radhë të parë të bazohemi në këtë dokument tek udhërrëfyesit për reformën në administratën publike, i cili u dakordësua me Komisionin Europian dhe më pas është dorëzuar në tetor të këtij viti edhe si një nga piketat hapëse për grupkapitullin e parë të negociatave për Shqipërinë”, tha Pirdeni.

Sipas ministres, transparenca proaktive ka një pozicion qendror në dokumentin e Strategjisë, ndaj që prej muajit qershor të këtij viti është organizuar një konferencë kombëtare me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Kemi nisur një debat publik që u shndërrua në diskutim dhe dialog institucional përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore. Jemi angazhuar me Zyrën e Komisionerit për të përmirësuar të gjitha programet e transparencës të ministrive të linjës.

Është detyrim i institucioneve të administratës publike në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, që t’i bëjë të gjitha raportet publike në formatin e Programit të Transparencës”, tha Pirdeni.

Në këtë drejtim, ajo nënvizoi rëndësinë e rolit thelbësor që kanë koordinatorët për informimin.

“Sot në të gjitha faqet e ministrive ka një hapësirë të veçantë mbi programin e transparencës.

Për sa i përket konsultimit publik, bashkë me AKSHI-n dhe të gjitha ministritë e linjës ne kemi identifikuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile në fushat përkatëse, të cilat me vullnetin e tyre të lirë do të shpreheshin nëse donin të merrnin përditësime automatike për aktet që dalin në fushën e tyre. Procesi i konsultimit publik ka afatet e veta dhe ligji parashikon 20 ditë pune”, shtoi Pirdeni.