Basha takim me kongresmenin amerikan Issa: Në fokus lufta kundër korrupsionit

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan Darrell Issa, një nga kandidatët kryesorë për kryetar të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit, ndërsa vijon takimet në Uashington.

Në fokus të bisedës ishin situata në Shqipëri dhe rajon, lufta kundër korrupsionit, lidhjet mes politikës dhe krimit, emigracioni dhe sfidat e sigurisë, veçanërisht në Kosovë dhe NATO, përballë agresionit rus në Ukrainë.

Issa vlerësoi vizionin e Bashës për zhvillimin ekonomik, teknologjinë dhe transparencën, duke mbështetur angazhimet për forcimin e qeverisjes dhe rritjen e inovacionit.

“Me kongresmenin Issa, një figurë e njohur në politikën amerikane dhe aktualisht anëtar i Komitetit të Drejtësisë dhe Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Kongres, biseduam për situatën në Shqipëri dhe në rajon, me theks të veçantë te lufta kundër korrupsionit, lidhjet e politikës me krimin dhe emigrimin”, tha Basha në një postim në rrjetet sociale.

Basha u shpreh se “si një zë i fuqishëm për qeverisje të vogël dhe për mbështetjen e sipërmarrjes dhe inovacionit në SHBA, Issa mirëpriti vizionin tonë të shndërruar në plan qeverisës për zhvillimin ekonomik, përgatitjen e brezit të ri në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës”.

“Siguria në rajon dhe sfidat me të cilat po përballet veçanërisht Kosova, si pasojë e politikës së Beogradit të mbështetur nga Moska dhe sfidat e NATO-s përballë agresionit rus në Ukrainë ishin gjithashtu temë e bashkëbisedimit”, tha Basha.