Protesta para SPAK/ Gjokutaj: Kemi depozituar kallëzim ndaj policisë së shtetit për rrëmbimin kriminal të Metës

Avokati Genc Gjokutaj, pjesëmarrës në protestën përpara SPAK për lirimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, denoncoi shkeljet e rënda të ligjit dhe abuzimet e pushtetit sipas tij nga institucionet shtetërore, të cilat, janë të orientuara për të përndjekur opozitën.

Avokati Gjokutaj u shpreh se arrestimi i Metës është pjesë e një strategjie të planifikuar për të izoluar dhe margjinalizuar kundërshtarët politikë.

Ai nënvizoi se kjo është një betejë jo vetëm për opozitën, por për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të jetojnë në një shtet të drejtë.

Në fjalën e tij, ai kërkoi me urgjencë ndërhyrjen e institucioneve të pavarura për të ndaluar abuzimet dhe për të rikthyer besimin te sistemi i drejtësisë.

FJALA E GJOKUTAJT:

Të dashur qytetarë, ka kaluar kohë që jemi në luftë me një drejtësi të kapur, e cila nuk ka lënë pa shkelur as nenet e Kodit të Procedurës dhe as të Kodit Penal, me qëllimin e vetëm izolimin e opozitës.

Sot kemi depozituar në rrugë postare kallëzimin ndaj Policisë së Shtetit, Ministrit të Brendshëm, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe forcave operative, për rastin e rrëmbimit kriminal që iu bë njërit nga liderët e opozitës, zoti Ilir Meta, gjatë arrestimit të tij.

Ata kanë shfrytëzuar detyrën, ata kanë konsumuar të gjitha krimet e mundshme që mund të kryejnë një shtetar dhe një punonjës i policisë në detyrë.

I kemi kërkuar gjykatës, përballë SPAK-ut dhe Gjykatës për Krimet dhe Korrupsionin, që të ndalojnë këtë krim të paligjshëm, por ata jo vetëm që nuk janë marrë me këtë çështje, por as nuk e kanë trajtuar në vendimet e tyre.

Sot jemi të detyruar të denoncojmë me forcë këtë rrëmbim, pasi këto veprime kriminale të policisë ndaj ish-Presidentit të Republikës mund të kthehen në normë dhe tashmë janë kthyer në fakt në normë.

Dhuna e policisë është evidente çdo ditë.

Nuk do të zgjatem duke ju shpjeguar elementet e çështjeve të dy liderëve të opozitës, të cilët, siç e thashë, 11 muaj që luftojmë dhe, sipas kalendarit politik, thirren për arrestim dhe askush nuk ka interes.

Kjo drejtësi duhet të largohet sa më parë nga këto zyra, sepse po të mos ekzistonte kjo drejtësi në këtë formë, kjo mazhorancë do të ishte larguar prej kohësh.

Është pikërisht SPAK-u dhe GJKKO-ja që, me çështjet e tyre, ku drejtuesit e mazhorancës kryejnë korrupsionin, ndërsa drejtuesit e opozitës janë të përndjekur, vazhdojnë dhe persekutojnë opozitën, jo vetëm në rastin e dy liderëve, por edhe në rastet e tjera. Ju e dini mirë arrestimin dhe burgosjen e zotit Salianji dhe zotit Bejleri, i cili sot është anëtar i Parlamentit Evropian.

Ligji është shkelur me të dyja këmbët, dhe të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë për të mbrojtur jo vetëm opozitën, por dhe të gjithë shqiptarët.