Gjonaj: Kërkimi parlamentar, rol të pazëvendësueshëm për më shumë cilësi në vendimmarrje
Kryetarja e Këshillit Drejtues të Institutit të Kërkimit Parlamentar, deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj nënvizoi sot masat që janë marrë për forcimin e transparencës dhe gjithëpërfshirjes nga ana e Kuvendit.
Gjatë konferencës ndërkombëtare mbi “Forcimin e rolit të parlamentit në vendimmarrjen e bazuar në të dhëna”, Gjonaj u ndal te kontributi që sjell në këtë drejtim Instituti i Kërkimit Parlamentar.
“Kërkimi parlamentar merr një rol të pazëvendësueshëm duke u ardhur në ndihmë deputetëve. Sot jemi këtu për të nxitur edhe një frymë të re bashkëpunimi.
Ne duhet të forcojmë lidhjet mes Akademisë, kërkuesve, ligjbërësve dhe ekspertëve për t’i dhënë më shumë peshë dhe cilësi procesit vendimmarrës bazuar në kërkime dhe fakte empirike”, u shpreh Gjonaj.
Në këtë drejtim, ajo vlerësoi se kjo konferencë dëshmon përkushtimin e Kuvendit për të forcuar rolin e tij si institucion transparent.
“Kjo falë edhe fuqizimit të Institutit të kërkimit Parlamentar i cili ka marrë gjatë këtyre 3 viteve eksperiencën më të mirë nga të gjitha vendet.
Gjatë 2 viteve të fundit janë realizuar 180 praktika kërkimore duke sjellë kështu edhe besimin e ligjvënësve te Instituti. Ne kemi angazhim për të shndërruar këto analiza në masa konkrete”, u shpreh Gjonaj.
Ndërsa e cilësoi Parlamentin një institucion gjithëpërfshirës, Gjonaj theksoi se Kuvendi ka tentuar të rrisë transparencën e tij, por në këtë drejtim duhet ende kontributi i të gjithëve.
Komisioni i posaçëm Antikorrupsion, sipas saj, bazohet te gjithëpërfshirja dhe transparenca.
“Këto janë parimet kryesore të këtij komisioni i cili përfshin ekspertë në këtë proces. Kjo na jep ekspertizën më profesionale, por edhe mundësinë për të parë fotografinë reale si është situata sot.
Këto angazhime shërbejnë në përmirësimin e shtyllave kryesore të shtetit”, shtoi Gjonaj.
Ndërkohë, sipas saj, sfidë përbën edhe inteligjenca artificiale e cila është element kyç edhe në proceset parlamentare.
“Teknologjia mund të ndihmojë në përgatitjen e politikave dhe rritjen e aksesit publik në informacion, por përdorimi i inteligjencës artificiale sjell edhe shumë sfida”, tha Gjonaj.
