Basha: Dënimi i Vangjush Dakos fillim i mirë, por i pamjaftueshëm
Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi sot për dënimin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha tha se “Vangjush Dako është një nga hajdutët e dobishëm të Edi Ramës, përmes të cilit e ktheu Bashkinë e Durrësit në një vatër korrupsioni, në shërbim të interesave ekonomike dhe elektorale të pushtetit dhe krimit të organizuar”.
“Sanksionimi i tij si “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dënimi nga GJKKO, janë tregues të degradimit të pushtetit të Edi Ramës, i cili ka përdorur Dakon për vjedhjen e zgjedhjeve dhe shkatërrimin e Durrësit, e po ashtu ka qenë një nga mbrojtësit më të ethshëm të ish-kryebashkiakut, duke i krijuar ndër vite një imunitet të paligjshëm.
Vendimi i sotëm i GJKKO është një hap i parë pozitiv, por i pamjaftueshëm. Vangjush Dako duhet të hetohet për lidhjet e tij me krimin dhe përdorimin e pushtetit në funksion të organizatave kriminale në këmbim të votave”, theksoi Basha.
Basha u shpreh se “e gjithë bota e ka dëgjuar përmes BILD se si Dako bashkëpunonte me krimin e organizuar për të përfituar vota në Durrës. Dosja famëkeqe 339 nuk mund të harrohet, por duhet t’i shkohet deri në fund hetimeve”.
“Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta kundër korrupsionit janë kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për një qeveri që i shërben qytetarëve. Shqipëria meriton më shumë”, tha Basha.
