Koçiu: Ndarja nga jeta e Prof. Dr. Agim Karaj, humbje e madhe për mjekësinë shqiptare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Agim Karaj.

“Ndarja nga jeta e Prof.Dr.Agim Karaj është një humbje e madhe për mjekësinë shqiptare dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Koçiu u shpreh se “model i përkushtimit profesional, Profesor Karaj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në edukimin e brezave të rinj të mjekëve dhe në shërbimin ndaj pacientëve. Humanizmi dhe vizioni i tij do të mbeten përherë një frymëzim”.

Prof.Dr. Agim Karaj ndërroi jetë ditën e sotme.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1975, Dr. Karaj filloi karrierën si kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku më pas u specializua si kirurg onkolog.

Në vitin 1987, ai u specializua në Institutin “Gustave Roussy” në Paris, një nga institucionet më të mira në botë për onkologji dhe onkoplastikë. Ai mori pjesë në trajnime dhe konferenca ndërkombëtare.