Kumbaro: Dhurimi i gjakut, merr vlerë sa vetë jeta për dikë që ka nevojë

Punonjësit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit edhe këtë vit iu bashkuan nismës së Kryqit të Kuq Shqiptar për dhurimin e gjakut.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “për secilin nga ne, dhurimi i gjakut është një kontribut i vogël, por që merr vlerë sa vetë jeta për dikë që ka nevojë”.

Ministrja Kumbaro falënderoi të gjithë punonjësit që iu bashkuan këtij misioni të bukur.

Me mijëra jetë shpëtohen nga dhurimi vullnetar i gjakut, që nga të aksidentuarit, deri tek pacientët me talasemi, të cilët duhet të marrin gjak çdo 2 javë për gjatë gjithë jetës së tyre. Dhurimi i gjakut çdo 6 muaj, mund të zvogëlojë mundësinë për sëmundje kardiovaskulare deri në 90%.

Çdo dhurues gjaku, si edhe ata periodikë, përfitojnë kryerjen e disa testimeve falas si: gjak komplet; transaminazat ALT; konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh; testim për Hepatit B, C, HIV, sifiliz, etj. Ndërsa nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si, glicemia, kreatinemia, proteinemia, kolesterolemia, trigliceridemia dhe feritinemia.