Çoçoli: Me çeljen e negociatave, nuk ka më pengesa për akordimin e fondeve nga BE

Eksperti në fushën e ekonomisë dhe financave, Fatos Çoçoli në një intervistë në Ora News u shpreh se me çeljen e negociatave nuk ka më pengesa për akordimin e fondeve.

Çoçoli: Më përpara kur bëheshin vetëm bisedimet në nivel politik, çdo keqinterpretim, çfo shikim vengër, çdo hatërmbeteje e çfarëdolloj force politike brenda BE bënte kurban fondet që do i akordoheshin Shqipërisë.

Këto fonde ose bllokoheshin në rastin më të keq, ose zvarriteshin dhe akordoheshin shumë më vonë pasi të kishte kaluar presioni politik i radhës në radhët e 27 vendeve anëtare.

Kështu që tani me çeljen de facto të bisedimeve konkrete teknike nuk do ketë më vend për të bllokuar aq më pak edhe për të penguar pikërisht akordimin e këtyre fondeve që për ne janë të rëndësishme.

Atëherë në rast se ne kemi Unazën e Madhe të Tiranës, ajo që quhet by passi i Tiranës që është konsideruar edhe një projekt me rëndësi rajonale aty janë 150.9 milionë euro para të BE-së, të fondeve të procesit të Berlinit apo të planit të rritjes, kështu që nëse nuk do kishim këtë hapje të bisedimeve konkrete teknike, këto fonde edhe mund të pengoheshin, të vinin më vonë, të mos rimbursoheshin në kohë.