Dënimi i Salianjit, Pampuri: Mbështes drejtësinë, nuk mund të bëhet miting në seanca gjyqësore
Deputetja opozitare Orjola Pampuri komentoi dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit lidhur me kallëzimin e rremë për dosjen Babale. Pampuri shpreh mbështetje për drejtësinë ndonëse ndjen keqardhje për kolegun Salianjin.
"Unë e mbështes drejtësinë. Por unë mbështes drejtësi të pavarur. Një drejtësi ndryshe nga ajo në 34 vite. U premtua demokraci dhe në themel të saj ka prioritet shtresën e ish të përndjekurve. Dhe shtresa tjetër janë pronarët që u lanë të pashpërblyer.
Dhe në 34 vite për këtë drejtësi jo të pavarur, që funksionin në drejtimi ne politikës. Jam për drejtësinë e pavarur. Prona të shkoj tek pronarët dhe jo dikush të favorizohet dhe dikush tjetër të lihet mënjanë. Politikanë që përdorën prokurorë dhe gjykatës, për këtë drejtësi nuk jam. Jam për drejtësi të pacenuar dhe paprekur", tha Pampuri e ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’.
Lidhur me deputetët e PD-së sot të pranishëm në seancë, Pampuri thotë se nuk shkohet në dyert e gjykatave për mitingje por me avokatë në rrugë ligjore.
"Nuk është çështje deputetësh kjo. Nuk e shikoj, ata janë miq, dikush e ka më shumë, dikush më pak. Atje mund të shkojnë miqtë, ajo është mbështetje morale. Nuk e shikoj të arsyeshme për mitingje para gjykatës. Nuk cenohet drejtësia nga turmat. Drejtësia ka ligje dhe në bazë të ligjeve funksionon shteti. Kam betejën në të cilën jam përfshirë", tha Pampuri.
