Përfundon ndërtimi i rrugës “Teki Selenica”, në njësinë bashkiake nr. 4

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës “Teki Selenica”, në njësinë bashkiake nr. 4. Rruga i shërben një komuniteti prej 4000 banorësh, të ardhur kryesisht pas viteve ‘90 por që nuk kishin parë asnjë investim në zonën e tyre.Me një investim prej 40 milionë lekësh është ndërhyrë në paketën e plotë të infrastrukturës nëntokësore, kanalizimet e ujërave të zeza, të bardha, ujësjellësit, trotuare në të dy anët, gjelbërim me 150 fidanë si dhe ndriçim. Edhe në këtë rrugë, muret e vjetra rrethuese të shtëpive janë zëvendësuar me kangjella.Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha u ka bërë të ditur banorëve, se po përfundon projekti dhe këto standarde do të shtrihen në të gjithë njësinë.“Siç u shprehën edhe vetë banorët, jo vetëm u është dhënë fund njëherë e përgjithmonë problemeve që kishte komuniteti, me mungesën e infrastrukturës por investimi  ka rritur vlerën e pronës së tyre dhe standardin e jetës së tyre në këtë lagje.  Jam i vendosur që këtë standard ta shtrijmë në të gjithë pjesën tjetër të kësaj zone, nga rruga “Shefqet Kuka”, deri  në kufi me Komunën Dajt, pra në të gjithë bllokun po përfundon projekti dhe do të fillojë shumë shpejt investimi, ndërkohë që këtu tek “Teki Selenica”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes do kërkojmë që një pjesë të pronës që ndodhet pranë nesh, ta kthejmë në një park për banorët e kësaj zone, për banorët e kësaj rruge, për t’i dhënë akoma më shumë hapësirë të gjelbër dhe hapësirë rekreative, fëmijëve, të moshuarve dhe qytetarëve  të njësisë bashkiake nr.4” deklaroi  Basha.