SHBA: Siria kaloi “vijën e kuqe”
Shtëpia e Bardhë ka publikuar rezultatet e një analize të re sipas së cilës regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike në sasi të vogla në Siri. Presidenti Obama ka marrë vendimin të ofrojë ndihma të reja, përfshirë ndihma ushtarake të paspecifikuara për forcat e opozitës siriane.Shtëpia e Bardhë thekson se janë përdorur armë kimike, përfshirë gazin sarin në sasi të vogla, disa herë, kundër forcave opozitare gjatë vitit të kaluar.Në një deklaratë thuhet se agjencitë e zbulimit e përmbyllën analizën me një nivel të lartë besimi në rezultatin e arritur, bazuar “në burime të ndryshme, të pavarura informacioni”. Po sipas deklaratës, 100-150 vetë kanë gjetur vdekjen nga armë kimike në Siri, por ekspertët që kanë zhvilluar analizën thonë se të dhënat për viktimat nuk janë të plota.Shtëpia e Bardhë ofroi hollësi të analizës për anëtarët e Kongresit dhe ka shkëmbyer informacion edhe me vendet aleate në Kombet e Bashkuara dhe Rusi.Zëvendës Këshillitari për Sigurinë Kombëtare, Ben Rhodes, i cili mbulon Çështjet e Komunikimeve Strategjike tha se Siria e kishte kapërcyer vijën e kuqe që kishte vendosur Presidenti Obama.Por Rhodes shtoi se kjo nuk nënkupton që do të dërgohen trupa tokësore amerikane në terren, por se Këshilli Opozitar Sirian dhe Këshilli i Lartë Ushtarak i kryengritësve do të marrin ndihma direkte.“Këto ndihma do të dallohen si nga aftësia ashtu edhe sasia e tyre krahasuar me ndihmat që kemi ofruar më parë. Presidenti ka marrë vendim, pjesërisht si rezultat i konfirmimit se janë përdorur armë kimike dhe ka vendosur të ofrojë ndihma të reja për opozitën” tha ai.Rhodes tha se ndihmat e reja ofrohen në bashkërendim me vendet në rajon, veçanërisht Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin dhe në konsultim me Britaninë dhe Francën.Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk është marrë ndonjë vendim për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi, megjithëse janë hartuar plane për skenare të ndryshme.Rhodes tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të konsultohen me opozitën siriane dhe aleatët dhe partnerët lidhur me hapat që ofrojnë mundësitë më të mira për të arritur rezultate pozitive në terren.Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara ende besojnë se zgjidhja politike është zgjidhja e preferuar për situatën në Siri dhe se procesi i Gjenevës ofron modelin e zgjidhjes. Bisedimet mes palëve duhet të përfshijnë opozitën dhe regjimin e Asadit, megjithëse ai vuri në dukje se Rusia ende nuk ka përqaftuar idenë për largimin e Asadit nga pushteti.