Shpërthen fabrika e kimikateve në Luiziana, 1 i vdekur
Të paktën një person ka humbur jetën dhe 47 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në një fabrike përpunimi të lëndëve kimike në Luiziana të Shteteve të Bashkuara.
Shpërthimi ka ndodhur në uzinën Olefins Williams në Geismar, në jug të Baton Rouge, në orët e para të mëngjesit sipas orës lokale, thanë autoritetet, ndërkohë që në fabrikë ndodheshin rreth 600 puntorë.
Shpërthimi është përshkruar si gjigand, re te zeza te tymit kanë mbuluar te gjithë qellin ne zone, thanë banorët që panë nga larg shpërthimin. Ata thanë se qëndruan në shtëpi me dritaret e tyre të mbyllura për shkak të frikës së ndotjes të ajrit.
Fabrika prodhon gazra të ndezshme të përdorura në industrinë petrokimike. Shkaku i shpërthimit ende është i paqartë.
Zëdhënësi i Departamentit të Cilësisë Mjedisore tha se nuk ka rrezik për ndotjen e ajrit nga djegia e kimikatëve, "testet nuk kanë gjetur nivele të rrezikshme të kimikateve në ajër deri tani" tha ai.
Punonjësit e plagosur janë dërguar menjëherë në spital, “dy prej tyre ndodhen në gjëndje të rëndë për jetën”, thanë autoritetet.