PAMJET/ Aksidenti në Lezhë, ndërron jetë te Trauma 65-vjeçari francez, arrestohet 23-vjeçari, u largua nga vendi i ngjarjes

Një aksident ka ndodhur gjatë mesnatës në aksin Lezhë-Laç në afërsi të fshatit Spiten. Në aksident janë përshirë dy makina që kanë pësuar dëmtime të mëdha.

Nga burime në vendin e ngjarjes bëhet me dije se në njërin nga automjetet janë gjetur të lënduar rëndë dy shtetas të huaj.

Ata janë dërguar në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore e me pas drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku njëri prej tyre fatkeqësisht ka humbur jetën.

Ndërkaq mësohet se policia ka arrestuar shoferin 23-vjeçar si shkaktar të këtij aksidenti,m i cili pas përplasjes tragjike është larguar nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi nga Policia e Lezhës

Aksidentoi me automjetin e tij, automjetin që drejtohej nga një shtetas francez, dhe u largua nga vendi i aksidentit, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.  

Për shkak të dëmtimeve, shtetasi francez humbi jetën në spital.   

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin: 

S. Ç., 23 vjeç, banues në Fushë Kuqe, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se më datë 14.03.2024, rreth orës 22:30, në kryqëzimin e fshatit Spiten, me automjetin tip “Mercedes-Benz” që drejtonte, ka aksidentuar automjetin me drejtues shtetasin francez A. P., 65 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. 

Shtetasi francez është dërguar në Spitalin e Traumës, por për shkak të dëmtimeve të rënda ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.