Dhuna e grave në TV, Koçibellinj: E papranueshme, e pajustifikuar, ka tejkaluar masën. Modeli më i keq që po u japim fëmijëve

Dhuna e grave dhe e vajzave mes tyre dhe shfaqja e kësaj dhune në ekranet shqiptare ka nisur të bëhet shqetësuese për opinionin publik.

Lidhur me këtë fenomen sociologia dhe aktivistja Suela Koçibellinj në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se shfaqja e kësaj dhunë veçanërisht në reality show-et shqiptare shkon përtej dhunës.

“Ne ato shikojmë probleme të komunikimit, pra që nuk kanë ndërtuar një komunikim të shëndetshëm mes tyre, dhe përsërisin veten e tyre për të nxitur agresivitet dhe kalojnë pastaj në vepra të dhunshme.

Nëse flasim për dhunë, nuk flasim vetëm për dhunë fizike. Ne aty kemi pasur edhe tentativa për dhunë fizike apo dhe shfaqje të kësaj dhune fizike. Por dhuna psikologjike dhe verbale është masive dhe e kanë të përditshme, të përminutshme, me tone të dhunshme, shantazhuese, fyese dhe kjo formë dhune nxit më pas dhunë fizike.

Çdo fjalë që mbart konotacion negativ, nxit një veprim dhe automatikisht formon dhunën.

Nëse i shikon me vëmendje ata kapin një fjali dhe e përsërit 20 herë atë fjali e cila u ka funksionuar njëherë dhe kjo është formë komunikimi e fëmijëve.

Ndërkohë ne kemi persona të rritur që pretendojnë që janë të mirëshkolkluar, por që u ka ngecur ora e komunikimit.

Ajo që më shqetëson mua është fakti se kur e nisën këtë lloj komunikimi ishin 3-4 persona, dhe tani po e përdorin të gjithë”, theksoi ndër të tjera sociologia Suela Koçibellinj.